Është finalizuar bashkëpunimi mes Drejtorisë së Administratës së Përgjithshme në Gjilan dhe Spitalit të Përgjithshëm për regjistrimin efikas të lindjeve të fëmijëve.
Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme, Doruntina Hasani, pas takimit me drejtorin e Spitalit të Përgjithshëm, dr. Arsim Emini, ka njoftuar për vendimin e rëndësishëm që është marrë, ku menjëherë pas lindjes, punonjësit e Spitalit aty obligohen që t’i dorëzojnë fletë statistikat te zyrtarja e ofiqarisë për regjistrim të lindjeve.
“Qëllimi ka qenë që të krijojmë dhe të zhvillojmë një menaxhim më të mirë, më të lehtë dhe më të efektshëm për regjistrimin e lindjeve në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit. Ky inicim është bërë që të evitohet shqiptimi i gjobave, duke e pasur parasysh faktin që me skadimin e afatit ligjor prej 30 ditëve shqiptohen gjoba ndaj qytetarëve që nuk i regjistrojnë fëmijët me kohë”, ka thënë drejtoresha Hasani.
Ndërkaq, drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Gjilanit, Arsim Emini, ka thënë se janë të gatshëm që bashkëpunimin e mëhershëm ta vazhdojnë edhe më tutje, duke i precizuar edhe pikat të cilat në të kaluarën nuk kanë funksionuar.