Drejtori i Zyrës për Kosovë në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka thënë se pa formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, nuk mund të shkohet para në procesin e dialogut.
Petkoviq, pas përfundimit të takimit të sotëm në Bruksel me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Miroslav Lajçak emisarin e BE-së për dialogun, ka theksuar se ata kanë biseduar për 10 orë.
“Çështja e parë dhe themelore që ngritëm është formimi i Asociacionit. Kanë kaluar nëntë vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe ne ende jemi në pritje të formimit, dhe të gjitha obligimet tjera duhet të zbatohen”, ka thënë Petkoviq për Tanjug.
Petkoviq ka folur pas raundit të sotëm të dialogut Kosovë – Serbi në Bruksel, ku ai pati takim me Përfaqësuesin special të BE’së për dialogun, Miroslav Lajçak, por nuk pati takim trepalësh.
Për faktin se nuk pati takim trepalësh e akuzoi kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimin.
“Kemi përfunduar një raund tjetër të bisedimeve, kemi kaluar mbi dhjetë orë në ndërtesën e BE-së. Pyetjen e parë që e kemi bërë ka qenë formimi i Asociacionit. Kanë kaluar nëntë vjet nga marrëveshja e Brukselit dhe ende jemi në pritje të formimit. Pa Asociacion nuk e di se si mund të ecim tutje të flasim për çështje tjera. Jemi të gatshëm të bisedojmë. Por ajo që është me rëndësi është të zbatohen gjitha marrëveshjet”, ka thënë Petkoviç.
“Kemi diskutuar edhe për energjetikën e ende presim licencat për dy kompani serbe, pasi është e rëndësishme në këtë krizë energjetike. Po ashtu kemi folur për drejtësinë, për sulmet ndaj popullatës serbe. Kemi biseduar me Lajçakun, pasi Bislimi ka refuzuar të flasë me palën serbe”.
Petkoviç ka thënë se pret raundin e ardhshëm të dialogut dhe thotë se shpreson që pala kosovare të jetë e gatshme për dialog e të sillet me përgjegjësi.