Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me kryeministrin Albin Kurti dhe kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kanë dalë me deklaratë të përbashkët në përkrahje të Ukrainës pas agresionit të Rusisë.
Kjo është deklarata e plotë:
Deklaratë e përbashkët e krerëve të institucioneve të Republikës së Kosovës pas agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse
Republika e Kosovës dënon fuqishëm agresionin ushtarak dhe invadimin e Ukrainës nga Federata Ruse që shpërfaqë hapur qëllimin rus për të minuar të drejtën e Ukrainës për të ekzistuar si shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik. Gjithashtu, Republika e Kosovës dënon njohjen ilegale të “pavarësisë” së regjioneve ukrainase të Luhanskut dhe Donetskut nga ana e Federatës Ruse.
Strategjia e ndjekur nga Moska për të krijuar përmes agresionit ushtarak entitete fantome brenda territorit të Ukrainës, grumbullimi masiv i forcave ushtarake në kufijtë e Ukrainës dhe sulmi masiv dhe i paprovokuar kundër qyteteve dhe fshatrave të Ukrainës është një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë arkitekturës së sigurisë ndërkombëtare të ndërtuara pas Luftës së Dytë Botërore.
Përpjekjet revizioniste të diktatorit Putin për të minuar parimet themeltare të mishëruara në Kartën e OKB-së e që janë parimi i sovranitetit dhe barazisë së shteteve, integriteti territorial dhe e drejta e kombeve për të vendosur në mënyrë të pavarur për fatin e tyre, gërryen themelet e rendit ndërkombëtar.
Agresioni ushtarak kundër Ukrainës nuk mund të përmbysë triumfin e vlerave të lirisë dhe demokracisë që shënuan përfundimin e Luftës së Ftohtë dhe shembjen e Bashkimit Sovjetik, që më shumë se çdo gjë tjetër ishte një burg i kombeve dhe shtypës i lirisë njerëzore.
Sot, në Ukrainë nuk mbrohet vetëm sovraniteti dhe e drejta për vetëvendosje e një populli të lirë dhe e një shteti të pavarur. Por, në Ukrainë mbrohen vlerat universale të paqes, demokracisë dhe të drejtës së popujve për vetëvendosje.
Askush më mirë sesa populli i Kosovës nuk e njeh fuqinë e vlerave të lirisë, dinjitetit njerëzor dhe të drejtës për vetëvendosje.
Ishin këto vlera dhe parime që motivuan botën demokratike që në vitin 1999 të ndërhynte për të shpëtuar popullin e Kosovës nga rreziku i shfarosjes nga regjimi gjenocidal i Serbisë së Sllobodan Milosheviqit.
Tendenca e diktatorit Putin për t’iu referuar rastit të Kosovës dhe për të tërhequr paralele janë tërësisht të paqëndrueshme, abuzive dhe përpjekje për të kamufluar mungesën e çfarëdo baze dhe arsyetimi të sulmit barbar të forcave të tij kundër një shteti sovran.
Procesi i pavarësimit të Republikës së Kosovës ka qenë rezultat i shpërbërjes së përgjakshme të Federatës Jugosllave, suprimimit të dhunshëm të statusit federativ të Kosovës, zbatimit të politikës së aparteidit ndaj popullit shqiptar përgjatë një dekade, luftës çlirimtare kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit, ndërhyrjes ndërkombëtare për ta ndalur gjenocidin, administrimit ndërkombëtar të Kosovës dhe procesit negociator me ndërmjetësim ndërkombëtar për përcaktimin e statusit përfundimtar të Kosovës. Për më tepër, ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës është konfirmuar nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si trupi më i lartë i drejtësisë ndërkombëtare.
Federata Ruse jo vetëm që nuk ka kundërshtuar asnjëherë luftërat pushtuese dhe fushatat gjenocidale të Serbisë në hapësirën e ish-Jugosllavisë, por ka vazhduar të luaj rol negativ duke mbështetur pa rezervë tendencat destabilizuese dhe politikat anti-evropiane në Ballkanin Perëndimor, si dhe duke shfrytëzuar shtete dhe liderë që i ka nën kontroll, për të penguar integrimin euro-atlantik të rajonit tonë.
Republika e Kosovës është përballur vazhdimisht me përpjekjet e Federatës Ruse për ta minuar sovranitetin dhe progresin e saj, qoftë duke bllokuar anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, duke armatosur Serbinë dhe duke ndërtuar baza të kamufluara ushtarake në Serbi, në afërsi të kufirit me Kosovën, apo duke orkestruar luftë speciale dhe hibride përmes propagandës dhe formave të tjera që Moska në vazhdimësi ka ndërmarrë kundër Republikës së Kosovës.
Republika e Kosovës shprehë solidaritetin dhe mbështetjen e saj të parezervë me Ukrainën dhe popullin e saj. Ne mbështesim të drejtën e patjetërsueshme të Ukrainës për të mbrojtur sovranitetin dhe integritetin e vet territorial.
Ne shprehim shpresën dhe besimin tonë se vetëm reagimi i vendosur i bashkësisë ndërkombëtare, kundër agresionit ushtarak dhe invadimit të Ukrainës nga Federata Ruse është vendimtar për t’i dhënë fund këtij agresioni.
Republika e Kosovës mbështetë plotësisht reagimet e shteteve demokratike dhe organizatave ndërkombëtare dhe iu bashkohet atyre në ndërmarrjen e veprimeve dhe masave që ndëshkojnë agresionin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke përfshirë shqiptimin e sanksioneve, masave dhe veprimeve të tjera.
Republika e Kosovës do t`i bashkërendojë ngushtë veprimet e saj me shtetet liridashëse të rajonit dhe aleatët strategjik euro-atlantik, veçanërisht SHBA-të dhe BE-ja, për ta kundërshtuar fuqimisht luftën pushtuese të Rusisë në Ukrainë dhe për t’u përballur me pasojat, të cila mund t`i prodhojë agresioni i Moskës në rajonin tonë nëpërmjet shteteve mike të Rusisë dhe aktorëve joshtetëror. Tendencat destabilizuese të Rusisë ndaj rajonit të Ballkanit Perëndimor tashmë janë të qarta dhe atyre do t’i kundërvihemi së bashku me aleatët tanë.