Qeveria e Kosovës ka miratuar të premten një pako me sanksione kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Kosova me këtë vendim u është bashkëngjitur Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian në kundërpërgjigjen ndaj sulmit rus në Ukrainë.
“Ushtria ruse është ajo e cila me këtë agresion e bëri Evropën të tronditet dhe arkitekturën e sigurisë ndërkombëtare të rimendohet”, ka thënë Kurti.
“Kjo Rusi që po shohim sot nuk është e re, por edhe një paralajmërim që ajo nuk synon të jetë e re”.
Ministrja për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kosovë, Donika Gërvalla, ka thënë se sulmi rus përbën “një ndër goditjet më të rrezikshme që i është bërë sigurisë evropiane dhe asaj ndërkombëtare në dekadën e fundit”.
“Sanksionet përfshijnë ngrirje të aseteve të bankave, institucioneve financiare dhe individëve, ndalimi i tyre në tregje financiare dhe masa tjera kufizuese që shënjestrojnë ndërmarrjet e rëndësishme ruse, elitat dhe akterët politikë të përfshirë në marrjen e vendimit për invazionin rus në Ukrainë”, ka thënë Gërvalla.
Sulmi i Moskës ndaj Ukrainës ka nisur në orët e para të 24 shkurtit.