Në takimin e sotëm të Komisionit Ekzekutiv për Themelimin e Fondit Sovran të Republikës së Kosovës, është miratuar në parim Koncept Dokumenti për themelimin e Fondit Sovran.
Ky Koncept Dokument parasheh hapat që duhet të ndjek Qeveria e Republikës së Kosovës deri në themelimin e Fondit, ku përcaktohen qartë qëllimet, funksioni dhe mandati i Fondit Sovran, si dhe strategjia për bartjen e aseteve zhvillimore dhe strategjike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në Fond.
“Fondi Sovran do të jetë një mekanizëm i ri dhe efektiv për orientimin e investimeve, përmirësimin e qeverisjes korporative, ngritjen e konkurrueshmërisë dhe cilësisë, rritjen e shkathtësive dhe të punësimit, si dhe eliminimit të keqpërdorimit dhe korrupsionit në sektorin e ndërmarrjeve publike”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Ky Fond do t’i japë një jetë të re shumë aseteve që qëndrojnë të mbyllura apo nënshfrytëzuara në fondin e AKP-së, përmes riorganizimit, rihabilitimit dhe rivitalizimit të tyre në forma të reja të funksionalizimit komercial dhe financiar, theksoi ai.