Ministria e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në një konferencë për media së bashku me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimin, ka folur edhe për arrestimin e tre shtetasve serb në Prishtinë më 26 shkurt të këtij viti.
Në fjalën e saj, Haxhiu ka thënë se arrestimi i shtetasve serb ka ndodhur në orën 17:10 gjatë ditës së shtunë, ku Policia e Kosovës ka arrestuar dhe ka shoqëruar në stacion policor tre shtetas serb, të cilëve i janë gjetur në veturë emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, transmeton lajmi.net.
“Të shtunën rreth orës 17:10 në Prishtinë, policia ka shoqëruar në stacion të policisë tre shtetasit serbë pasi që gjatë kontrollit të veturës të njëjtëve i janë gjetur emblema të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sipas informacioneve të organeve të sigurisë, të dyshuarit kanë bërë tërheqje të një shume të caktuar të parave dhe sipas informacioneve dhe pamjeve të kamerave, të njëjtit kanë qenë të interesuar që të blejnë veshmbathje ushtarake në një dyqan në Prishtinë”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se sipas dyshimeve të organeve të sigurisë, personat në fjalë po përgatisnin ndonjë aktivitet që do të cënonin sigurinë e vendit, ndërsa ka bërë të ditur se bazuar në informacionet e organeve të sigurisë, njëri nga të arrestuarit ka lidhje me individë nga strukturat e inteligjencës serbe.
Por, ministrja Haxhiu nuk ka kursyer kritikat ndaj Prokurorit të Shtetit, duke thënë se tre shtetasit serbë nuk janë mbajtur as 48 orë në stacion policor.
“Përkundër këtyre informacioneve, fatkeqësisht prokuroria ka liruar në procedurë të rregullt këta persona”, ka thënë Haxhiu.
Ajo ka thënë se fakti që të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt nga Prokuroria, tregon mospërfilljen e rrezikut ndaj sigurisë dhe integritetit të vendit.
Haxhiu ka kërkuar nga institucionet që të shtojnë bashkëpunimin dhe jo injorimin gjatë kohës kur situata në Ukrainë është e tensionuar dhe mund të ketë rrezik për sigurinë e vendit.
Në fund, ajo ka thënë se veprimi i Prokurorisë për rastin në fjalë dëshmon edhe një herë se reforma në drejtësi është e domosdoshme dhe e nevojshme, për të cilën ka thënë se do të punojnë vazhdimisht.