Një nga platformat e njohura ndërkombëtare për thirrje dhe mesazhe telefonike pa pagesë, që nga mbrëmë ka filluar të njohë edhe hyrjen apo kodin shtetëror të Kosovës.
Që nga data 5 shkurt, kosovarët kanë mundur të ndërrojnë numrat e tyre në viber duke kaluar në kodin shtetërore +383.
Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it ka thënë se implementimi i Kodit shtetëror të telefonisë +383 do të realizohet brenda afatit të paraparë.
“Tanimë thirrjet dhe mesazhet në drejtim të Kosovës mund të pranohen me +383 nga pothuajse e gjithë bota. Kodi +383 tashmë po përdoret edhe nga aplikacionet e ndryshme për dërgimin e mesazheve verifikuese në drejtim të numrave tanë, një gjë e tillë po ndodhë edhe me Viber, aplikacionin mjaft popullor tek ne”, ka shkruar Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it në profilin e tij në ‘Facebook”.
Kosova ka marrë zyrtarisht kodin e saj shtetëror telefonik +383 të alokuar nga ITU më 15 dhjetor të vitit 2016.
Kjo vie pas marrëveshjes së arritur në bisedimet Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Brukselit.
Që nga fillimi zyrtar i funksionalizimit të kodit të ri shtetëror është paralajmëruar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postar (ARKEP), se faza e ashtuquajtur e migrimit të sim kartelave të tanishme në kodin e ri telefonik do të zgjasë afër 18 muaj.
Në Kosovë momentalisht operojnë tre kode të ndryshme përveç +383, janë edhe +377, +386 dhe +381.
Sipas ARKEP këto kode do të vazhdojnë të funksionojnë paralelisht me kodin e ri shtetëror deri në përfundimin e fazës migruese që sipas tyre nuk do të jetë më larg se këtë vit.
Platforma ‘Viber’, megjithatë nuk është e para që e ka ‘njohur’, kodin e ri shtetëror të Kosovës.
Kur Kosova ishte ende në fazën e bisedimeve për këtë kod,l ‘Google’, veqse e kishte njohur atë./kallxo/