Kroacia heq akcizën për naftë e benzinë, nga sot ulen çmimet e derivateve
08/03/2022 | 08:09
Kroacia është shteti i parë evropian që ka marrë masa konkrete për të ndihmuar popullin pas rritjes së madhe të çmimeve të derivateve.
Kryeministri kroat, Plenkoviq ka vendosur uljen e përkohshme të akcizës për naftë e benzinë.
“Qeveria është duke rregulluar marzhën e tregtarëve të naftës dhe duke ulur përkohësisht akcizën për naftën dhe benzinën për të zbutur rritjen e çmimeve” ka thënë Plenkoviq.
Në Kroaci, nga sot çmimi i naftës do të jetë 12,53 kuna apo 1.65 euro për litër, ndërsa çmimi i benzinit do të jetë 12.19 kuna, që i bie 1.62 euro për litër.
Plenkoviq e ka arsyetuar këtë vendim duke thënë se nëse do të zgjaste kjo rritje e çmimeve, rrezikohej seriozisht mbyllja e shumë pikave të karburanteve.
“Ne duam të kontribuojmë në uljen e goditjes së çmimeve për qytetarët tanë dhe sipas llogaritjeve tona, kjo do të çojë në zvogëlimin e të hyrave të buxhetit të shtetit nga akciza për energjinë mbi 150 milionë kuna”, tha Plenkoviq.