Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në seancën e sotme të Qeverisë së Kosovës ka thënë se ulja e akcizës dhe TVSH-së për disa produkte do të ishte vendim i gabuar.
Bislimi ka thënë se kjo do të ishte një politikë ekstremisht djathtiste, shkruan Reporteri.net.
“Është i pakuptimtë insistimi për uljen e akcizës për disa produkte meqë masat e tilla situmulojnë rritjen e importit.
Qeveritë e kujdesshme kujdesen që paralelisht me dekurajimin e importit të kujdesen edhe për mbajtjen në kontroll të rrjedhjes së parasë dhe përmes akcizës të ndihmojnë ato biznese që preken. Kjo do të ishte një politike ekstremisht e djathtë”, u shpreh Bislimi.
Bislimi tutje ka thënë se është dyfishuar numri i inspektorëve të tregut në mënyrë që të parandalohet manipulimi me çmime nga ana e tregtarëve.
“Është evidente që vendi ngjashëm me regjionin për disa muaj me radhë është duke kaluar me rritje të çmimeve.
Kjo vlenë sidomos për familjet me të ardhura më të vogla. Kjo rritje e çmimeve vjen si pasojë e tri zhvillimeve të menjëherëshme, invazionin rus në Ukrainë dhe aktivitetet spekulative të tregtarëve vendas.
Ne kemi intensifikuar angazhimin e inspektorëve të tregut në mënyrë që të ndalohen aktivitetet manipuluese të tregtarëve.
Zhvillimet e fundit janë inkurajuese dhe shumë shpejtë mund të japim lajme të mira. Këto do e bëjë përmes masave të targetuara që do të mbështesin masat ekzistuese të pakos ekonomike”, u shpreh Bislimi në seancën e Kuvendit.