Gjilan – Të martën, stafi i administratës së Gjykatës Themelore në Gjilan ka hyrë në grevë.
Një gjë të tillë për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar anëtari i kryesisë qendrore së Sindikatës së Pavarur e Judikaturës së Kosovës (SPJK), Shefki Daku.
Shkurtimisht, ai ka thënë se është zgjedhur Këshilli Grevist i cili menagjon me grevën.
“Është zgjedhë këshilli grevist, tash po shohim se në cilat raste do të punohet e në cilat jo, sepse realisht janë disa raste urgjente të cilat duhet të mbahen”, ka thënë Daku.
Ndryshe, me 14 mars 2022, Sindikata e Pavarur e Judikaturës së Kosovës (SPJK) ka njoftuar se nga 15 mars 2020 të gjitha Gjykatat dhe Prokuroritë në Kosovë, do të hyjnë në grevë.
Lajmin e ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi”, Florent Krasniqi, anëtar i kryesisë së SPJK-së dhe njëherësh udhëheqës i shtabit grevist.
Greva e administratës, sipas Krasniqit, do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
Ndryshe, më 2 mars, SPJK kishte marrë vendim që grevën e pezulluar më 2018 të vazhdojë ta mbajë të tillë deri më 14 mars.
Ndryshe, më 1 mars fillimisht ka nisur grevën stafi administrativ i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku në konferencën për medie të mbajtur po atë ditë nga Naim Rrustemi, kryetar i Shoqatës Sindikale të gjykatës në fjalë, u tha se greva nuk ka të bëjë me çështje politike, se po ndodhë pa vullnetin e tyre dhe se do të vazhdojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Kërkesat tona janë: Aprovimi i Ligjit për punëtorët e Administratave të Gjykatave dhe Prokurorive duke u bazuar në Projektligjin për Plotësim dhe Ndryshim të Ligjit për Zyrtar Publik; Përafrimi i pagave të punëtorëve të administratës së gjykatave dhe prokurorive në raport me pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve; Pagesa lineare nga 150 euro për çdo punëtor të administratës së gjykatave dhe prokurorive deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga; Pagesa e shujtës ditore prej 3 euro dhe pagesa e udhëtimit prej 3 euro”, ka thënë Rrustemi.
Pas Gjykatës Themelore në Prishtinë, grevën e nisi edhe administrata e Gjykatës së Apelit dhe i gjithë stafi i administratës në Pallatin e Drejtësisë.
Greva për momentin ka pezulluar seancat gjyqësore, në përjashtim të rasteve të parabaurgimit dhe atyre të dhunës në familje.
Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), përmes një komunikate për medie, të martën njoftoi se për momentin nuk e përkrah grevën e filluar nga administrata.
Në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka ftuar organizatorët që ta rishqyrtojnë vendimin për hyrje në grevë dhe të bashkëpunojnë me institucionet kompetente. /BetimipërDrejtësi