Gjyqtarët kosovar çdo ditë e më shumë po avancohen në profesionin e tyre.
Kjo ka bërë që shumë të rinj, nga dashuria e madhe për futbollin të shfaqin interesim të madh në këtë profesion.
Njëri nga ta është edhe gjyqtari nga Gjilani, Elion Gagica i cili para tre vitesh filloi punën në këtë drejtim, dhe që nga atëherë me dëshirë të madhe punon si gjyqtar i Federatës së Futbollit të Kosovës.
Elioni me profesion është teknik i stomatologjisë, megjithatë pasioni i tij gjithmonë ka qenë referimi, andaj ka filluar të merret edhe me këtë punë.
Gjyqtari 25 vjeçari ka folur për Gazetën Olle, ku ka thënë se referimi i ka pëlqyer qysh në fëmijëri dhe ëndërron të gjykojë ndeshje të rangut më të lartë në futbollin botëror.
“Referimi më ka pëlqyer qysh në fëmijëri, pasiqë gjithmonë kam dashur t’i zgjidhja problemet në mes të dy ekipeve apo rivalëve. Ndarja e drejtësisë është profesioni im i dytë por jo më pak i rëndësishëm. Ëndrra ime është të bëhem refer i UEFA-s dhe FIFA-s, dhe të gjykoj ndeshje të rangut më të lartë botëror”, ka thënë Gagica.
Elion Gagica thotë se dashuria e madhe për futbollin ka ndikuar që ai të futet në këtë profesion jo aq të lehtë dhe me shumë përgjegjësi.
Ai momentalisht gjykon ndeshjet e Superligës së Juniorëve, por padyshim se me punën e tij profesionale shumë shpejtë do ta shohim duke gjykuar ndeshjet e Superligës së Kosovës. /Gazeta Olle/