Sot punëtorët e Kompanisë “Hidromorova” në Gjilan kanë mbajtur grevë njëorëshe, me kërkesat të cilat ia kanë parashtruar menaxhmentit të Kompanisë.
Në një njoftim të Shoqatës Sindikale të kësaj kompanie është thënë se përkundër vullnetit të tyre që greva të mos mbahet, punëtorët kanë qenë të detyruar, ngase ata janë ndjerë të injoruar në kërkesat e tyre. Punëtorët kanë kërkuar përmirësimin e kushteve të punës, kurse kërkesat që i janë drejtuar menaxhmentit janë këto:
1.Kemi kërkuar nivelizimin e pagave sipas vendeve të punës dhe kualifikimit
2.Gjatë kohës së pandemisë edhe pse kemi punuar pa ndërprerje kemi kërkuar stimulim (ndihmë) për të gjithë punëtoret, pasi qeveria gjegjësisht ministria e ekonomisë ka ndarë mjete për kompaninë tonë e nga të cilat mjete asgjë nuk i është ndarë punëtorëve.
3.Gjate muajit dhjetor 2021 prapë kemi kërkuar ndihmë nga kompania, rritje të pagave dhe ndihmë për fundvit për shkak të shtrenjtimit të shportës së konsumatorit.
“Për të gjitha këto kërkesa nga menaxhmenti asnjëherë nuk kemi hasur në mirëkuptim, gjithherë është arsyetuar se nuk po na lejohet nga njësiti dhe bordi i drejtoreve, ku ne mendojmë se njësiti nuk është pengës vetëm për kompaninë tonë, e për kompanitë tjera jo, ku njësiti është i gjithë kompanive të ujësjellësve të Kosovës.
Ne vazhdën e kësaj ne punëtorët jemi të indinjuar me menaxhmentin dhe me rastin e hapjes se konkursit për pranimin e punëtorëve të rinj dhe pse jemi të bindur se ky numër i punëtorëve të kërkuar ka mundur dhe mundet të zëvendësohet në disa vende me punëtorë të brendshëm të kompanisë”, thuhet në njoftimin e udhëheqësisë së Shoqatës së Sindikatës së KRU “Hidromorava” Sha Gjilan.