Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), në takimin e 210-të, të mërkurën mori vendim që intervistat e kandidatëve për Kryeprokuror të Shtetit të incizohen nga mediat dhe transmetimi i tyre të bëhet pas përfundimit të procesit.
Gjithashtu, KPK në këtë takim mori vendim që edhe konceptdokumentet e kandidatëve të publikohen ne faqen zyrtare të Këshillit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Deri tek ky vendim Këshilli erdhi pas propozimit të Kryeprokurorit Aleksandër Lumezi, i cili propozoj që në rend të ditës të vendoset kjo pikë.
Por fillimisht, pati polemika mes anëtarëve të Këshillit se mos po shkelet rregullorja për zgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit për të vendosur për këtë propozim.
Zëvendës kryesuesi i KPK-së, Veton Shabani, tha se vazhdimisht gjatë bisedave me të gjithë anëtaret e ka propozuar se duhet të jenë shumë transparent në përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Shtetit.
Por, lidhur me këtë deklarim të zëvendës kryesuesit Shabani, anëtari tjetër Ardian Hajdaraj tha se zëvendës kryesuesi Shabani kishte qenë kundër që zyra e Britanisë se Madhe të mos monitoroje apo të mos bëjë vlerësim të kandidatëve.
Ai tha se, çdo devijim nga rregullorja për zgjedhjen e Kryeprokurorit, do të përbënte shkelje, pasi sipas tij, një rregullore e tillë ishte bërë me partnerët ndërkombëtar.
“Na të gjithë e dijmë që procesi ka fillu, na jem në mes të procesit kemi një rregullore të aprovuar nga Këshilli që me sa di unë është aprovu me partnerët ndërkombëtar dhe çdo devijim nga kjo rregullore është shkelje e procesit dhe thyerje e integritetit të procesit”, tha prokurori Hajdaraj.
Po ashtu, prokurori Hajdaraj shtoi se ai nuk është në dijeni nëse Këshilli mund ta bëjë këtë në mes të procesit.
Prokurorja, Bedrije Syla-Alshiqi, tha se e përkrah këtë propozim, por e njëjta deklaroi se incizimi dhe transmetimi duhet të publikohen pasi të kryhet intervista, pasi në të kundërtën sipas saj do të bëjnë shkelje sepse pyetjet për të gjithë kandidatët janë të njëjta.
Lidhur me këtë çështje, është deklaruar edhe prokurori Armend Zenelaj, ku i njëjti ka thënë se nuk pajtohet me zëvendës kryesuesin Shabani se publiku e vlerëson një kandidat, pasi sipas tij, është Paneli që ka me vlerësu kandidatin.
Për këtë çështje është deklaruar edhe profesori Agron Beka, i cili ka thënë se pyetjet standarde nuk nënkuptojnë se janë identike sipas rregullores për zgjedhjen e Kryeprokurorit.
Por këto deklarime të anëtarëve është shprehur i habitur zëvendës kryesuesi Shabani, i cili tha se është e habitshme hezitimi i kolegëve të tij për një kërkese kaq legjitime të partnerëve ndërkombëtar.
“Me te vërtetë është e habitshme hezitimi i kolegeve tone në drejtim të një kërkese kaq legjitime të partnerëve tanë strategjik me te cilët kemi bashkëpunim mbi 20 vjeçarë”, tha zëvendës kryesuesi Shabani./betimiperdrejtesin/