Ministria e Drejtësisë në Kosovë ka paralajmëruar se do ta ridërgojë Projektkodin Civil në Kuvend.
Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, kjo ministri tha se është në pritje të vendimit të Kuvendit për mosmiratimin e Kodit gjatë seancës së 16 marsit.
Kuvendi i Kosovës dështoi të miratojë Projektkodin Civil në leximin e parë pasi disa deputetë, në pushtet dhe opozitë, e kundërshtuan nenin, i cili do t’i hapte rrugë hartimit të një ligji të veçantë për lejimin e “bashkësive civile” ndërmjet personave të gjinisë së njëjtë.
Ministria nuk dha më shumë detaje se a do ta ndryshojë Projketkodin, apo do ta riprocedojë të njëjtin.
Sekretari i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës, Ismet Krasniqi, në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë, tha se rregullorja aktuale e Kuvendit të Kosovës nuk e ndalon që i njëjti tekst i Projektkodit të procedohet, si dhe nuk ka kufizime në afatin kohor për procedim.
Qemajl Marmullakaj, hulumtues i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD) thotë se Ministria e Drejtësisë, për të ridërguar projektligjin për shqyrtim edhe miratim në Kuvend, i ka dy mundësi në dispozicion, por që të dyja nënkuptojnë që projektligji duhet të miratohet.
“Të rishikojë projektligjin, të bëjë ndryshimet e nevojshme dhe ta riprocedojë për miratim; si dhe të qartësojë pikën apo nenin-et që janë kontestuese nga ana e deputetëve, të bëjë presionin e nevojshëm politik (kushtimisht) për të marrë përkrahjen e deputetëve për nenet që janë kontestuar ata dhe të vazhdojë për miratim”, tha Marmullakaj për Radion Evropa e Lirë.
Për këtë projektkod votuan 28 deputetë, kundër ishin 29, 4 kanë abstenuar, kurse 16 prej tyre nuk morën pjesë në votim.
Disa deputetë, në fjalimet e tyre gjatë seancës së mbajtur më 16 mars në Kuvendin e Kosovës, derisa po diskutohej për Projektkodin Civil, e konsideruan të papranueshëm lejimin e “bashkësive civile”.
Deputetja Labinote Demi-Murtezi nga Lëvizja Vetëvendosje, deklaroi se “standardi i moralit shoqëror në vendin tonë e dikton si të pranueshme vetëm martesën e gjinive të kundërta, çdo lidhje jashtë këtij kombinimi konsiderohet shthurje dhe degjenerim moral”.
Muajin e kaluar, udhëheqësit e katër bashkësive fetare në Kosovë, Bashkësisë Islame, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike, kanë bërë thirrje që në Projektkodin Civil të mos bëhen ndryshime në përkufizimin dhe interpretimin për familjen, martesën dhe statusin e bashkëshortëve.
Ndërsa të enjten, disa qytetarë dhe pjesëtarë të komunitetit LGBTI kanë protestuar para Kuvendit të Kosovës në shenjë pakënaqësie ndaj mosmiratimit të Projektkodit Civil. Protestuesit e dënuan edhe gjuhën e përdorur nga deputetët gjatë seancës së Kuvendit./rel/