Forma e mirë e Rahovecit pas përforcimeve të fundit në skuadër, ka vazhduar edhe sot, pritshëm, pasi që kundërshtar i vreshtarëve ka qenë Drita e dorëzuar në Superligë.
Vreshtarët që kanë luajtur në palestrën e tyre në cilësi të mysafirit, kanë shënuar fitore të lehtë ndaj gjilanasve, duke i mposhtur me rezultat 59-112 [12-30, 19-25, 15-29, 13-28].
Trajneri Ljupcho Malinkov i dha rast të gjithë lojtarëve të paraqiten në ndeshje, pos TJ Dunans që pushoi, derisa më efikasi te Rahoveci ka qenë kapiteni Visar Ejupi me 22 pikë e 6 kërcime.
Ivan Koljevic si zakonisht, ndër më të frytshmit në skuadër, me 19 pikë, prej të cilave 5/7 saktësi për tri pikë, shto këtu edhe 9 asistime.
Gjilanasit që pësuan për herë të 23-të këtë stinor, më efikas në ndeshje e patën Diellor Maksutin që luajti me 14 pikë e 7 kërcime, ndërsa me double-double ndeshjen e kreu Enis Morina që regjistroi 12 pikë e 10 kërcime.
Fitorja ka bërë Rahovecin që të ketë numrin e njëjtë të fitoreve si Bashkimi dhe tashmë lufta për PlayOut bëhet edhe më interesante. Kjo ka qenë fitorja e tretë rresht e Rahovecit në Superligë, ndërsa e pesta në të gjitha garat.