Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka cilësuar si të paaftë, jokompetente dhe në dëm të qytetarëve të Kosovës qeverisjen njëvjeçare të Albin Kurtit.
“Ajo çfarë e karakterizon paaftësinë e kësaj qeverie, nuk është thjeshtë performanca e dobët në realizimin e objektivave të saj. Karakteristika themelore e kësaj qeverie të paaftë, është kostoja që ajo ka prodhuar për qytetarët e Kosovës”.
Lideri opozitar ka thënë se këto janë konstatime të bazuara në të dhëna reale, në kohë reale dhe në pasoja reale që, sipas tij, kanë shënuar fotografinë e qeverisjes nga marsi i 2021-ës deri në mars të 2022-ës.
“Si rezultat i kësaj paaftësie, Republika e Kosovës për një vit qeverisje të kryeministrit Albin Kurti nuk figuron as në hartën e investimeve strategjike, as në hartën e rëndësisë politike rajonale, e as në hartën e partneritetit të qëndrueshëm me partnerët dhe aleatët strategjik të Kosovës”.
Madje, sipas Krasniqit, ka ndodhur krejt e kundërta, ku si pasojë e regresit dhe stagnimit që ka karakterizuar këtë vit të qeverisjes, qytetarët e Kosovës kanë filluar të mos shohin më as të ardhme e as në atdheun e tyre.
“Programi i Qeverisë Kurti përgjithësisht ka qenë një lojë fjalësh. Aty ku nuk ka qenë lojë fjalësh, ka qenë kopje planesh. Aty ku nuk ka qenë kopje planesh, ka qenë nocione librash. Por program të qëndrueshëm që vendosë hapa konkret për zhvillim ekonomik, për rend dhe ligj, për punësim, për integrim e mirëqenie, nuk ka pasur”.
“Ka premtuar themelim të Fondit për Sigurime Shëndetësore. Sot nuk është në agjendë. Në vend të kësaj mund të flasim vetëm për keqmenaxhimin e pandemisë, për shkurtimin e buxhetit për shëndetësi në kohë pandemie, për kontrata të dyshimta dhe për mungesë strategjie e vizioni për shëndetësi. Ka dështuar në ekonomi, ku sot numri i të papunëve është rritur shumë, numri i të papunëve, të rinjve e të rejave që kërkojnë largimin nga Kosova është rritur jashtëzakonisht shumë, çmimet janë rritur jashtëzakonisht shumë, ndërsa të vetmet që nuk janë rritur janë prodhimi, eksporti dhe punësimi dhe pagat”.