Në natën e së hënës, nuk kishte vend për artdashësit nga interesimi i lartë në ekspozitën e paparë ndonjëherë në Gjilan, të sociologut, poetit e publicistit Avni Rudakut, të quajtur “Lidhja e shkurtër”, me kurator Din Azizin, me menaxher të projektit nga Avni Shkodra dhe fotografi e katalog të Migjen Fazliut, në kuadër të Varg e Vi-së. Ekspozita do të jetë e hapur deri më 4 prill 2022, në Galerinë e qytetit në Gjilan, mbrapa objektit të Teatrit të Qytetit, ish-biblioteka “Fan S. Noli”.
Ekspozita ishte e mbushur me 32 vepra, instalacione artistike, të gjitha me priza e spina, kabllo elektrike, të cilat simbolizonin orientime, çrregullime, sjellje dhe përgjigje të ndryshme seksuale. Ekspozitën e hapi Avni Shkodra, drejtor i organizatës, i cili tha: “Ekspozita ‘Lidhja e shkurtër’, flet për diversitetin seksual përmes prizave dhe spinave dhe është e ndarë në tri lloje të instalimeve artistike për të shprehur ato sjellje seksuale që nuk lejohen askund, ato që lejohen dikund dhe ato që lejohen gjithkund.”
Ndërsa Avni Rudaku, autor, dhe Din Azizi, kurator, nuk folën në hapje, pasi vlerësuan se gjithçka që kanë thënë për ekspozitën, e kanë shprehur në “Lidhja e shkurtër” dhe u mbetet publikut ta vlerësojë dhe interpretojë.
Koncepti i ekspozitës:
“Secilit prej nesh i kujtohen urdhrat e prindërve për të mos prekur objektet apo gjithçka tjetër që lidhej me prizat. Prizat u bënë tabu e kahershme. Na lindi edhe frika prej krejt elektricitetit, e veçanërisht, prej “spojit”, lidhjes së shkurtër. “Mos e prek, se bën spoj”, dëgjohej shpesh në familjet tona, e dikur përtej tyre. Në aspektin e energjisë elektrike, lidhja e shkurtër është çasti kur energjia elektrike udhëton në një rrugë alternative për në qarkun elektrik, jashtë rrugës së caktuar për të qarkulluar. Nëse kjo rrjedhje është e tepërt përgjatë kësaj rruge, atëherë do të kemi probleme në furnizimin me energji elektrike. Rryma kthehet në tokë me një rrugë më të shkurtër, që mund të shkaktojë zjarr, djegie, shkëndija elektrike, xixa, por edhe pasoja të rrezikshme në njerëz. Njësoj me energjinë elektrike, edhe për energjinë seksuale, ka një mori kërkesash, ndalesash, preferencash e fantazish, deri në çrregullime të koduara nga autoritetet shkencore. Ekziston edhe lidhja e shkurtër në seksualitetin njerëzor, jashtë rrugës së caktuar shoqërore dhe kulturore për t’u furnizuar, eksituar, shprehur e çliruar. Lidhja e shkurtër në seksualitet varet nga: 1) vetëraportimi për vetëvuajtje, 2) raportimi nga të tjerët për vuajtje, 3) hegjemonia dominuese e shumicës, 4) ndikimi nga autoritetet shkencore, 5) kultura… Në shumë teori dhe manuale klinike mbi seksualitetin, hasim shprehje të energjetikës, si: energji, tension, shkarkim, ngarkim, impuls, rënie, ngritje. Manualet më autoritative ndërkombëtare të diagnozave të çrregullimeve parafilike, seksuale e gjinore, si DSM-5 nga Shoqata e Psikiatërve Amerikanë, ICD-11 nga OBSH, CCMD-3 nga Shoqata Kineze e Psikiatrisë etj., përditësohen kryesisht pas çdo 10 vjetësh e më shumë. Në këtë vit, 2022, hyri në fuqi versioni më i ri i ICD-11. Në fund të muajit mars të këtij viti kur po ekspozohet “Lidhja e shkurtër”, do të botohet teksti i rishikuar i DSM-5-TR për të gjitha çrregullimet, e edhe për ato seksuale. Përveç manualeve, se cilat mënyra të përmbushjes seksuale krijojnë lidhje të shkurtër, varet edhe nga diskrecioni i vetë mjekëve, nga vetë interpretimi i manualeve dhe përshtatja unike për çdo rast klinik. Rastësisht, në këtë muaj të “Lidhjes së shkurtër”, shpërtheu edhe debati për bashkësitë civile të seksit të njëjtë, që paralajmërohej me miratimin e Projektkodit Civil në Kuvendin e Republikës së Kosovës, e që nuk kaloi nga shumica. Për çdo sjellje, përgjigje, fantazi, normë ligjore e kulturore, çrregullim seksual, si dhe për operim me konceptet “seks” (biologji, anatomi) dhe “gjini” (sociologji, shoqëri) në sjellje normale dhe anormale, gjithçka është lidhur me mediumin e njëjtë: një spinë për të simbolizuar mashkullin pasi ka dy kunja të metaltë në një kokë të izoluar e të mbërthyer në tel siç e përshkruan edhe fjalori, ngjashëm me penisin, si dhe prizën – pajisje me dy vrima, ku futet spina për të lidhur një aparat me burimin e rrymës elektrike, përkatësisht rrymës seksuale.”
Publiku ka edhe video-shpjegimin nga vetë Avni Rudaku, i cili mund të dëgjohet në një kënd të sallës së galerisë. “Lidhja e shkurtër” u përkrah nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjilanit.