Inspektorati Policor i Kosovës ka thënë se është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Lajmin ka konfirmuar zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës është njoftuar zyrtarisht për këtë çështje dhe se në kuadër të kompetencave dhe autorizimeve ligjore është duke e shqyrtuar çështjen e pjesëmarrjes së eprorëve të Policisë së Kosovës në takim me Presidentin e Serbisë”, ka deklaruar Beka.
Ndryshe, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në takimin e 281-të të mbajtur të enjten, ka marrë vendim që ta suspendojë Liljana Stevanoviq, kryetare e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, deri në një vendim të radhës.
Suspendimi i Stevanoviq vjen pas pjesëmarrjes së saj në takim me Aleksandër Vuçiq, president i Serbisë.
Lajmi për suspendimin e Stevanoviq u bë i ditur përmes një komunikate për medie nga KGJK, pasi e njëjta pikë ka qenë si pikë e mbyllur.
“Në fund, Këshilli vazhdoi takimin me dy (2) pika të mbyllura për: shqyrtimin e njoftimit AGJ.nr.93/2022 të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë si dhe themelimin e panelit hetimor për rastin disiplinor Nr.AD/KGJK/07/2022/GJTHPR-AD/GJTHPR.nr.12/2022, me ç’rast vendosi për suspendim të Kryetares së Gjykatës Themelore në Mitrovicë, L.S, deri në vendimin e rradhës”, thuhet në njoftim. /Express