Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj së bashku me shefin e kabinetit Vaxhid Rexhepaj, Drejtorin e Urbanizmit, Uran Berisha, konsuletin për hartim të projekteve, Leotrim Spahiu, kanë pritur në takim Drejtorin për Ballkan nga Kuvajti, Mahmoud Al Najadi, Drejtorin e OJQ “Qendresa Kosovare”, Islam Cakaj, si dhe menaxherin Samir Salihu.
Në këtë takim është diskutuar për disa projekte për të cilat Komuna e Kamenicës ka kërkuar mbështetje financiare nga OJQ “Qëndresa Kosovare” si dhe shteti i Kuvajtit.
I pari i komunës, Kadri Rahimaj ka falënderuar drejtorin Al Najadi dhe drejtorin e OJQ “Qëndresa Kosovare” duke u shprehur mirënjohje të pafunda për kontributin e dhënë për Kamenicën.
“Ky është një ndër takimet më të mira që kam pasur. Iu falenderoj mjaft shumë për kontributin e dhënë për Kamenicën. Jemi qytet i vogël që ballafaqohemi me shumë sfida dhe mundësitë tona financiare janë të vogla karshi kërkesave të qytetarëve. Andaj jemi duke u angazhuar me stafin në komunë dhe me donatorë si ju që t’i drejtojmë sfidat në bazë të prioriteteve dhe të gjejmë zgjidhje”, ka thënë ai.
Edhe Drejtori për Ballkan, Mahmoud AL Najadi, falënderoi kryetarin për takimin, duke theksuar se janë të gatshëm t’i ndihmojnë komunës për nevojat që ka.
“Edhe ne iu falenderojmë pasi që po na e krijoni mundësinë që banorët tanë të kenë ku të bëjnë bamirësi. Pra e gjithë ndihma jonë është falë kontributit të banorëve të Kuvajtit. Ne ndihmojmë komuna të ndryshme dhe përballemi me kërkesa të shumta që kanë. Kështu shteti i Kosovës është vendi ku kemi bërë më së shumti investime, sidomos në hapjen e puseve”, theksoi ai.
Gjatë takimit nga konsulenti Spahiu dhe drejtori Berisha janë paraqitur tri projekte, për të cilat Komuna e Kamenicës ka kërkuar mbështetje financiare.
Janë paraqitur projektet si: Konvikti në Kamenicë, Qendra për Punë Sociale si dhe Ujësjellsi në Berivojcë dhe në lagjen Iliria.
Të dy palët u dakorduan që të shqyrtojnë mundësitë e bashkëpunimit për këto projekte, si dhe për projekte në të ardhmen.
Pas mbajtjes së këtij takimi të pranishmit kanë vizituar shkollën profesionale në Kamenicë.