Kryeministri norvegjez e sfidon Kurtin në takim: Sfidat e pazgjidhura nga të 90’at mund t’i vënë zjarr Ballkanit Perëndimor
“Nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi kryeministri norevegjez Jonas Gahr Støre në takimin që pati me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti në Oslo.
“Nuk mund ta marrim si të mirëqenë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Sfidat e pazgjidhura nga vitet 1990 mund t’i vënë sërish zjarrin rajonit”, citohet të ketë thënë kryeministri norvegjez nga portali i qeverisë atje.
Sa i përket zgjedhjeve serbe të 3 prillit, kryeministri norvegjez tha se Kosova duhet t’i lejojë serbët lokalë të votojnë.
“Marrëveshjet duhet të zbatohen dhe të dyja palët duhet të shmangin veprimet që dobësojnë besimin mes tyre. Prandaj e shfrytëzova takimin për të shprehur keqardhjen që Kosova nuk lejon që zgjedhjet serbe më 3 prill të zhvillohen sipas të njëjtit model si në zgjedhjet e mëparshme”, citohet të ketë thënë më tej kreu i ekzekutivit norvegjez.
Kryeministri Kurti ka takuar edhe ministren e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt, gjatë vizitës në Oslo. Marrëdhëniet dypalëshe, situata e politikës së sigurisë në Evropë dhe dialogu i udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ishin tema në takimin e tyre, sipas faqes së qeverisë norvegjeze.