Familja e aktivistit të ndjerë të Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar nga shteti i Kosovës një rikthim në hetim të vdekjes së djalit të tyre, duke përmendur edhe zhvarrosjen e trupit të Astrit Deharit.
Ka qenë deputeti Sami Kurteshi i cili ka transmetuar fjalët e familjes, në debatin me ministrin e Drejtësisë në lidhje me zotimin për hetim të vdekjes së Deharit.
Sipas Kurteshit, Prokuroria është duke mbledhur dokumente për të dërguar në ekspertizë, mirëpo sipas tij, kjo nuk ka qënë kërkesa e familjes.
Kurteshi ka thënë që familja ka kërkuar që procesi të kthehet në fazën hetuese dhe kjo të bëhet nga një intitut me renome botërore.
‘Familja kërkon auditim të dokumenteve të mbledhura sepse rasti është shumë më i ndjeshëm. Familja kërkon një hetim të plotë, të pavarur ndërkombëtar nga një institut me renome botërore në vend të ngjarjes, deri në zhvarrosjen e trupit të Astrit Deharit të ndjerë. Kjo është kërkesa origjinale e familjes’, ka thënë në Kuvend deputeti Kurteshi.
Ndërkaq, ministri Abelard Tahiri ka thënë se pas zotimit të Haradinajt për hetim të këtij rasti, ai u ka kërkuar organeve përgjegjëse që të nisin punën.
Ndryshe, Haradinaj sapo mori detyrën e shefit të Qeverisë premtoi se do të ketë hetim ndërkombëtar për vdekjen në burg të Astrit Dehari.