Viti 2015 pat nisur me protestat e janarit që kanë shpier në shkarkimin e ministrit të atëhershëm Jabllanoviq. Viti 2015 u përmbyll me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që thoshte se Asociacioni apo Bashkësia e komunave me shumicë serbe (‘Zajednica’) nuk është në përputhje me 23 nene të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Viti 2016 pat nisur me demonstratat më të mëdha të Kosovës së pasluftës me 9 janar dhe 17 shkurt, kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë dhe ‘Demarkacionit’ me Malin e Zi.
Gjatë asaj kohe janë bërë me qindra arrestime të aktivistëve e deputetëve opozitarë, deri me 29 gusht të vitit 2016, kur arrestohen 6 aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE!(LV), për sulmin me predhë në ndërtesën e Kuvendit me 4 gusht. U arrestuan Astrit Dehari, Frashër Krasniqi, Atdhe Arifi, Egzon Haliti, Adea Batusha dhe Petrit Ademi. Prej datës 5 gusht deri më 25 gusht, sipas policisë së Kosovës janë hetuar 4 persona krejtësisht të tjerë. Gjithçka që pasoi tregonte për inskenimin e sulmit të armatosur mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke fshehur autorët e vërtetë, për të fajësuar LV, me qëllime të caktuara politike.
Policia e Kosovës organizonte konferenca për shtyp dhe emisione televizive ku zyrtarët më të lartë të saj sulmonin publikisht aktivistët e arrestuar dhe subjektin tonë politik. Dendësi e tillë e deklaratave publike nga Policia e Kosovës, sidomos nga e ashtuquajtura Njësi kundër terrorizmit, nuk ka patur as më herët dhe as më vonë në Kosovë sikur me rastin e arrestimit të këtyre 6 aktivistëve. Gjykimi nuk kishte filluar ende, mirëpo policia tashmë kishte bërë ndëshkimin. Ajo po na dënonte publikisht nëpër studiot televizive dhe para kamerave të medieve. Nuk vepronte gjykata, nuk fliste prokurori, por dënonte policia. I gjithë sistemi i drejtësisë duhej veçse ta ndiqte policinë që po përndiqte VETËVENDOSJE!-n. Gjykata bëhej e ashpër sepse policia ishte brutale, gjykatës nuk i interesonin faktet e provat sepse as policisë nuk i interesonin ato. Qëndrimi policor ndaj LV sundonte me faktet, qoftë kur ato mungonin apo edhe atëherë kur merrnin mundin t’i fabrikonin ato. Ndërkaq, prokuroria ishte veçse hallkë formale që ndërlidh gjykatën me policinë, ku policia prin e gjykata vulos, policia vepron e gjykata justifikon. Gjykatësi nuk është marrur me të pandehurit sepse ai vetë është i marrur nga policia. 6 aktivistët, në burg, ishin arrestuar nga policia. Gjykatësi, në këtë proces, ishte po ashtu i arrestuar nga policia. Policia na e kishte bërë tashmë gjyqin. Natyrisht që gjykatësi në seancë mandej na e bënte policin. Kur e vërteta është policore, gjykata është e pavërtetë.
Mirëpo, shtrohet pyetja, pse po na persekutonte policia? Çfarë zori kishte ajo që na përndiqte ashtu? Urdhërat politikë sigurisht se janë shkaku, e kemi thënë këtë dhe e përsërisim, sepse Kosova është shtet i kapur. Megjithëkëtë, nuk besoj që kjo shterr shkaqet. Kishte diçka më shumë se kaq, diçka edhe përtej urdhërit politik mbi neve opozitarët politik të këtij regjimi partiak. Unë besoj se kjo ishte hakmarrja. Policia po hakmerrej ndaj LV për protestat që kishim bërë gjatë 20 muajve të fundit. Zaten kur policia ta bën drejtësinë kjo mund të jetë vetëm si hakmarrje. Ajo çfarë ngjau me 6 aktivistët ishte hakmarrje policore, të cilën normalisht që dështuan ta arsyetojnë prokuroria dhe gjykata, sepse ajo ishte hakmarrje dhe veçse hakmarrje ndaj VETËVENDOSJE!-s.
Nuk ishte hera e parë. Më 28 nëntor 2015 ishin thyer zyrat e LV nga njësitë anti-terror të cilat nuk janë përdorur as në veri të Kosovës. Ndërhyrja nga forcat elitare anti-terror ishte operacion që përbëhej nga qindra policë të cilët rrahën e arrestuan 97 aktivistë. Tri javë më vonë, më 18 dhjetor 2015, kemi bërë 80 kallëzime penale për dhunën policore, ndaj të cilave Policia e Kosovës reagoi menjëherë publikisht duke thënë se ajo i paska 166 policë të lënduar në protestat e muajve të fundit, pra, duke pranuar kështu hakmarrjen ndaj nesh me 28 nëntor! Edhe Amnesty International e Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës kanë reaguar me komunikata zyrtare kundër kësaj ndërhyrjeje policore brutale me 28 nëntor 2015. E policia e arsyetoi këtë me policët e lënduar nëpër protesta. Pra, policia e pranoi që ishte hakmarrur ndaj neve për ata 10 muaj të opozitarizmit më të fuqishëm që kishte parë ndonjëherë Kosova e pasluftës. Arrestimi i 6 aktivistëve me 29 gusht 2016 ishte hakmarrja e dytë policore ndaj LV, për 10 muajt e dytë të opozitarizmit, gjithnjë më të fuqishmit në Kosovën e pasluftës.
E, sërish jo vetëm kaq. Hakmarrja synonte edhe të maksimizonte efektin. Arrestimi i 6 aktivistëve ngjau vetëm dy ditë para protestës së 1 shtatorit 2016 kundër ratifikimit të ‘Demarkacionit’ këtu në Kuvend. Dhe, si për çudi, sërish vetëm dy ditë para balotazhit në zgjedhjet lokale, pra më 17 nëntor 2017, këta aktivistë dënohen gjithsej me 21 vjet burg, pasi që Astrit Dehari ishte mbytur në burg një vit më parë.
Kur më arrestuan mua më 28 nëntor 2015, më dërguan në Burg të Sigurisë së Lartë, aty me të burgosur që akuzoheshin për terrorizëm. A e dini pse? Sepse, njësitë anti-terror të policisë ishin ato që më kishin arrestuar. Meqenëse më arrestoi anti-terrori duhej të më shpienin në burg për terroristët. Ngjashëm, meqenëse Astrit Dehari vdiq dhunshëm në burg, katër aktivistët e tjerë të burgosur u dënuan rëndë. 21 vjet nuk janë dënimi i Gjykatës mbi aktivistët e pafajshëm, por mbrojtja e Gjykatës nga faji i regjimit për vdekjen e Astritit.
Gjykata e prokuroria, ministria e drejtësisë, në Kosovë vrapojnë pas policisë. Mandej, ato arsyetojnë policinë pas së cilës vrapojnë, dhe vetveten e tyre në vrapin e tyre pas policisë. Gjykata e prokuroria ishin pak çka jashtë këtij vrapi të tyre pas policisë.
As prokuroria dhe as gjykata nuk kanë arritur të mbledhin dhe ofrojnë asnjë provë materiale që do të mund të përdorej si dëshmi kundër aktivistëve tanë. Provat materiale, analizat e forenzikës, analizat krahasimore të ADN-së të mostrave të gjetura në vend të ngjarjes dhe të aktivistëve, analizat e mostrave dhe shenjave të gjetura të armës së përdorur, analizat e shenjave të motoçikletës së djegur, analizat e thirrjeve, sinjaleve, mesazheve të telefonëve apo kompjuterëve të sekuestruar, analizat e bëra nga FBI-ja për krahasimin e personave të fotografuar nga kamerat, të gjitha dëshmitë e dëshmitarëve të rastit, flasin kundër dënimit që Gjykata ua shqiptoi aktivistëve.
Këtë e ka pranuar edhe vetë prokurori i rastit. Kjo dëshmohet edhe nga vetë aktgjykimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës prej 42 faqesh. Asnjë provë materiale e listuar dhe e cekur në këtë aktgjykim nuk dëshmon asnjë fakt kundër aktivistëve të dënuar. Të gjitha provat, dëshmitë e ofruara, dëshmitarët, analizat shkencore, kriminalistike dhe medicinale, vendore e ndërkombëtare, vërtetonin pafajësinë e aktivistëve të LV!.
Deputetë të Kuvendit të Kosovës,
Dënimi nuk u dha pse ai kishte rëndësi për ligjin dhe shoqërinë dhe të pandehurit por pse ai kishte rëndësinë për policinë e cila moti kishte ndëshkuar e dënuar aktivistët. Kur vdiq Astriti, nuk foli as gjyqësia, as prokuroria, as ministria, as burgu, por policia. Foli komandanti i policisë i rajonit të Prizrenit.
Drejtësia për Astritin dhe lirimi i aktivistëve janë parakushti i drejtësisë dhe lirisë për qytetarin në Kosovë.
Ju falemnderit.