Blerim Isufaj është përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për ta pasuar Aleksandër Lumezin në instancën më të lartë të ndjekjes në vend.
Të gjithë anëtarët e KPK-së (11) e votuan për kryeprokuror ish-kryesuesin e këtij institucioni, i cili paraprakisht ishte vlerësuar me numrin më të madh të pikëve (98) nga paneli vlerësues, raporton Gazeta Express.
Emri i Isufajt do të dërgohet në Presidencë. Presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjit e bën emërimin, por mund edhe të mos e bëjë. Lëvizja Vetëvendosje po kërkon që procesi të kthehet në pikën zero.
Në një raport të publikuar më 24 mars 2022 nga Koalicioni i OJQ-ve, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL me titull “Integriteti i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit (Raport i monitorimit dhe vlerësimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit)”, ishte rekomanduar anulimi i procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit dhe shpallja e konkursit të ri.
Pesë kandidatët në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, më 20 mars ishin intervistuar nga paneli vlerësues. Pas Isufajt ishte renditur prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shqipdon Fazliu me 92 pikë. Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë vinte pas tij tij me 84.2 pikë. I katërti doli kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe në fund Lulzim Sylejmani, prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë me 74.2 pikë.
Paneli vlerësues përbëhej nga Jetish Maloku, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarëve të KPK-së, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.
Paraprakisht, kandidatët, sipas rregullores, kishin pesë ditë kohë për ta kundërshtuar vlerësimin e komisionit vlerësues.