AUV ndalon shitjen dhe urdhëron tërheqjen nga tregu të mishit të ngrirë të pulës të importuar nga Brazili nga Apetit SHPK, pas konstatimit të bakterit Salmonella Minnesota
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), në kuadër të kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Armend Muja, ka konstatuar praninë e bakterit Salmonella Minnesota në mostra të mishit të ngrirë të pulës me origjinë nga Brazili, të importuar nga operatori Apetit SHPK. Bazuar në rezultatet laboratorike dhe në zbatim të neneve 7, 10 dhe 15 të Ligjit Nr. 08/L-120 për Ushqim, AUV ka vendosur ndalimin e përkohshëm të qarkullimit, vendosjen nën kontroll zyrtar dhe tërheqjen nga tregu të produkteve të identifikuara.
Produktet e përfshira në vendim:
Marka Origjina Nr. i aprovimit LOT
Coopavel Brazil SIF 3887 R-14427
Superfrango Brazil SIF 3404 R20598
Salmonella Minnesota është një serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica, prania e të cilit në ushqim paraqet rrezik potencial për shëndetin e njeriut. Ky bakter mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale dhe të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar ose kontaminimit të kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit. Në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, konstatimi i këtij patogjeni kërkon vlerësimin e rrezikut dhe ndërmarrjen e masave proporcionale për mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
AUV u bën thirrje konsumatorëve që posedojnë produktet me numrat e identifikuar të LOT-it të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat e shitjes. Kontrollet e jashtëzakonshme po vazhdojnë me verifikimin e të gjithë sasisë së importuar, përfshirë gjurmueshmërinë nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, sasitë e shpërndara dhe të mbetura, etiketimin, datat e prodhimit dhe skadencës, certifikatat veterinare, kushtet e ruajtjes dhe analizat shtesë laboratorike.
Në përputhje me nenet 21, 22 dhe 23 të Ligjit për Ushqim, operatori është përgjegjës për sigurinë, gjurmueshmërinë, tërheqjen e produkteve nga tregu dhe informimin e konsumatorëve. AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve në bazë të vlerësimit të rrezikut, përfshirë asgjësimin kur është i nevojshëm.
AUV do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme, me qëllim mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.










