Shkolla “Nazmi Hoxha” në Gjilan tashmë është e qasshme për fëmijët me aftësi të kufizuara, kjo falë iniciativës “Team Rijad” nga Unicef Kosovo Programme.
Në këtë shkollë, përurimi i sëcilës u bë të mërkurën, është ndërtuar WC e përshtatshme për fëmijët me aftësi të kufizuara, me ndihmën e donacionit vullnetar nga Arkatana, një biznes i njohur në Gjilan. Kjo iu mundëson fëmijëve gjithëpërfshirje dhe iu mundëson t’i ndjekin mësimet dhe të kanë një të ardhme më të ndritur.
Në përurimin e kësaj shkolle, mori pjesa edhe presidentja Vjosa Osmani, e cila shprehi përkrahjen e saj për iniciativën “Team Rijad”, kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni dhe shefja e zyrës së UNICEF në Kosovë, Nona Zichermann.
Rijad Mehmeti, kryesues i iniciativës dhe avokues për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara tha ‘ndoshta për ju një ndërtim i tillë nuk do të thotë asgjë, por për fëmijët me aftësi të kufizuara do të thotë se a do të kenë mundësi t’i ndjekin mësimet apo jo’.
Edhe në shkollën fillore “Musa Zajmi” në Gjilan po ndërtohet një WC për fëmijët me aftësi të kufizuara me ndihmën e bizneseve si Arkatana, Meridian Express dhe Alba Qeramika.
“Team Rijad ka për qëllim që përmes aktiviteteve të ndryshme të avokojë në përmirësimin e kushteve për fëmijët me aftësi të kufizuara duke ju ofruar gjithpërfshirje. Kjo synohet të arrihet përmes ndërtimit të pjerrinave dhe ËC-ve, duke i bërë shkollat tërësisht të qasshme për fëmijët me aftësi të kufizuara. Po ashtu, synohet të avokohet për punësimin e sa më shumë mësueseve asistente nëpër shkolla dhe sigurimin e teknologjive asistive për fëmijët me aftësi të kufizuara. Team Rijad vazhdimisht fton bizneset private dhe fytyra publike të bëhen pjesë e ekipit dhe të kontribuojnë në përmirësimin e jetës së fëmijëve me aftësi të kufizuara. Duke kontribuar pak, ju iu mundësoni të gjithë fëmijëve shkollim të barabartë”, thuhet në komunikatë.