Ushtruesi i detyrës së kryetarit të degës së PDK-së në Gjilan, Riad Rashiti, po e mban në zyrën e tij të komunës fotografinë e ish-shefit të tij Hashim Thaçi por jo edhe të presidentes Vjosa Osmani. Rashiti thotë se i mjafton fotografia e ish-presidentit Thaçi në zyrën ku ushtron funksionin e tij si drejtor i financave, pas lidhjes së koalicionit me Vetëvendosjen në komunën më të madhe në Anamoravë.
Gazeta Express
Rashiti në një përgjigje me shkrim per Gazetën Express konfirmoi se vazhdon ta mbajë në zyrë fotografinë e ish-presidentit Thaçi.
“Po ende e mbaj në zyrë [fotografinë e ish-presidentit Thaçi] dhe do të vazhdoj ta mbaj. Ndërsa të presidentes nuk e kam gjetur në zyrë të cilën e kam pranuar nga qeverisja e LDK-së”, tha ai.
I pyetur nëse do ta vendosë fotografinë e shefes aktuale të shtetit, Rashiti tha se i mjafton fotografia e ish-shefit të tij Hashim Thaçi.
“Të presidentes ka kohë ende për ta vendosur. Për momentin më mjafton fotografia e presidentit Hashim Thaçi”, tha Rashiti.
Ndërkaq, në fotografinë që ka postuar në llogarinë e tij në Facebook me ish-presidentin Thaçi të vendosur në prapavijë, Rashiti i është përgjigjur një komentuesi i cili i ka thënë atij se duhet ta vendosë fotografinë e presidentes Vjosa Osmani.
“Unë e vendos foton e presidentit të Kosovës, ai e përfaqëson luftën, lirinë dhe shtetin e Republikës së Kosovës. Kjo që është tani “presidente” e përfaqëson vetëm mllefin e atyre që kanë qenë kundër luftës çlirimtare dhe kundër liderëve historik të Kosovës”, i është përgjigjur ai
Kryetari i Gjilanit, Alban Hyseni, pasi fitoi zgjedhjet në garën e balotazhit ndaj Lutfi Hazirit, lidhi koalicion me PDK-në në këtë komunë.