Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke thënë se tashmë janë përmbushur të gjitha kriteret për një gjë të tillë.
Ai, në një konferencë për media, së bashku me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, tha se shpreson që shteti gjerman të ndikojë në heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.
“Unë shpresoj që Gjermania, përveç se të bëjë pjesën e saj për sa i përket përmbushjes së procesit dhe pranimit nga i gjithë Këshilli Evropian njëzëri të uljes në tryezë për negociata me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të përmbushë në nivelin e BE-së edhe liberalizimin e vizave për Kosovën. Është një proces i merituar për shumë vite, por i bllokuar dhe shpresoj të çlirohet”, tha Rama.
Ndryshe, Kosova është vendi i vetëm në rajon që ende nuk e gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë në vendet e BE-së.