Drejtori i Financave në Komunën e Gjilanit, Avdyl Kastrati, ka dhënë sqarime lidhur me sigurimin e mjeteve për pagesën e pagave të nëntorit dhe dhjetorit për punonjësit që paguhen nga buxheti komunal.
Kastrati ka bërë të ditur se seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal, e mbajtur më 12 nëntor 2026, u thirr me qëllim të sigurimit të mjeteve për ekzekutimin me kohë të pagave të nëntorit.
Sipas tij, në këtë seancë është propozuar transferimi i 497.972,10 eurove brenda kategorisë së pagave dhe shtesave, nga programet me mjete të lira në ato ku kishte mungesë të fondeve për paga. Propozimi u miratua me 27 vota për.
Ai ka sqaruar se mungesa e mjeteve ishte krijuar si pasojë e ekzekutimit të pagës së 13-të së bashku me pagën e muajit mars 2026, sipas vendimit të Qeverisë, ndërsa kjo kosto nuk ishte përfshirë në planifikimin fillestar të buxhetit komunal për paga.
Sa i përket pagave të dhjetorit, Kastrati ka theksuar se mbulesa buxhetore është siguruar përmes rishikimit të buxhetit, i cili u miratua në lexim të dytë më 29 tetor 2026 dhe u publikua në Gazetën Zyrtare më 12 nëntor 2026.
Sqarime edhe për diferencën retroaktive të përvojës së punës
Në deklarimin e tij, drejtori i Financave ka shpjeguar edhe mënyrën e llogaritjes së diferencës retroaktive për përvojën e punës.
Sipas sqarimit, për muajt kur shtesa për 15 vitet e para të përvojës është paguar me 0,25 për qind për çdo vit të plotë, diferenca deri në normën prej 0,50 për qind është 0,25 pikë përqindjeje për çdo vit.
Kastrati ka dhënë edhe një shembull konkret për një mësimdhënës të arsimit fillor me pagë bazë prej 726 eurosh dhe 14 vite përvojë pune. Në këtë rast, diferenca mujore është 25,41 euro bruto, ndërsa për 24 muaj, nëse paga bazë dhe vitet e përvojës kanë mbetur të njëjta, shuma arrin në 609,84 euro bruto.
Këto sqarime janë bërë nga drejtori i Financave, Abdyl Kastrati, lidhur me mbulimin e pagave dhe llogaritjen e diferencave për përvojën e punës./Radio Star/










