Zëvendësdrejtori i RTK-së, Arsim Halili, ka njoftuar se ka hequr dorë nga një shumë prej 21 mijë euro që ka fituar pas një beteje disa vjeçare që kishte pasur me RTK-në në gjykatë.
Halili, në Facebook ka shkruar se qëllimi i tij nuk ka qenë kompensimi financiar, mirëpo vendosja e drejtësisë për vendimin e ish-drejtorit Mentor Shala.
“Në vitin 2019 e kam fituar një kontest gjyqësor kundër RTK-së pas një vendimi arbitrar dhe kundërligjor të suspendimit dhe degradimit 6 shkallësh nga ish drejtori gjeneral, Mentor Shala. Ne fund të kësaj beteje disavjeçare, Gjykata kishte vendosur në favorin tim. Deri në këtë fazë, aktgjykimi parasheh dëmshpërblim financiar prej 21 mijë eurosh në total”, njoftoi ai.
“Kompensimi financiar nuk ka qenë asnjëherë qëllim në vetvete për mua, krahasuar me betejën time konsistente për vendosjen e drejtësisë dhe kthimin e ligjshmërisë në RTK. Duke qenë kështu, ju njoftoj se kam vendosur të heq dorë përfundimisht nga ky kompensim”, tha Halili.
Halili ka publikuar edhe emailin që i ka dërguar u.d. drejtorit të përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj, me arsyet për refuzimin e dëmshpërblimit.