Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Bekim Haxhiu ka komentuar pakon e qeverisë së Kosovës e cila kap vlerën e 100 milionë euro, e ku nga kjo pako financiare do të përfitojnë një kategori e caktuar e shoqërisë.
Haxhiu ka thënë se kjo që ka bërë sot qeveria që drejtohet nga Albin Kurti është thjeshtë lëmoshë për qytetarët e vendit.
“As më pak e as më shumë sesa një lëmoshë…. nuk mund të kalohet kjo krizë duke ndarë nga 100 euro për shtresën e caktuar të qytetarëve”, ka thënë ai.
Sipas tij plotësim ndryshimi i ligjit për Trustin Pensional duhet të ndodhë pasi që kjo është kërkesë e qytetarëve të Kosovës.
“Kam prit sot nga kryeministri Kurti dhe ministri i Financave, Hekuran Murati që të deklarohet se janë PËR që t`u lejohet qytetarëve tërheqja e mjeteve të tyre nga Trusti, por këtë nuk e bënë. Qeveria ka afat deri me 21 prill që të jap mendimin e saj”, ka thënë ai.
Sipas tij me automatizëm pas datës 21 prillit, projektligji që mundëson ndryshimin e nenit 12 në ligjit për Trustin, do të kalojë në Kuvend.
“Pa mendim të Qeverisë projektligji kalon në Kuvend dhe unë jam i bindur se deputetet do të votojnë PËR pasi edhe ata çdo ditë kanë kërkesa nga qytetarët e Kosovës që të lejohet tërheqja e një shumë nga kursimet pensionale”, ka thënë Bekim Haxhiu.
PDK, LDK, AAK dhe komunitetet janë deklaruar PRO tërheqjes së një shumë të caktuar të mjeteve nga Trusti, por që kanë mbetur vetëm të caktohet % e shumës.