Kryetari i Gjykatës Themelorë në Gjilan, Ramiz Azizi gjatë një konference për media të mbajtur të mërkurën, ka prezantuar raportin e tremujorit të parë të vitit 2022.
Azizi ka shtuar se numri i lëndëve të pranuara në krahasim me numrin e lëndëve të zgjidhura është pozitiv.
“Gjykata Themelore në Gjilan për muajt janar – mars ka treguar sukses në zgjidhjen e lëndëve duke arritur zgjidhjen e lëndëve në 106 %, Dega e Gjykatës Themelore në Kamenicë efikasitetin e ka pasur 89 %, Dega e Gjykatës Themelore në Viti ka treguar efikasitet 80 %, ndërsa Dega e Gjykatës Themelore në Novobërdë, 66 %”, ka thënë Azizi.
Gjykata Themelore në Gjilan një prioritet i ka dhënë zgjidhjes së lëndëve të korrupsionit.
“Departamenti i Krimeve të Rënda ka pranuar 4 lëndë gjatë këtij tremujori, ndërkohë kemi arritur të zgjidhim 10 lëndë të kësaj natyre, prej tyre 7 aktgjykime dënuese dhe 3 aktgjykime liruese. Numri i këtyre lëndëve në Gjykatën Themelore në Gjilan ka rënë aktualisht në 14 lëndë”, theksoi Azizi.
I pari i Gjykatës, ka thënë se një prioritet i’u është dhënë edhe zgjidhjes së lëndëve të dhunës në familje, lëndëve me narkotikë dhe grabitjeve.
Kryetari Azizi me datë 17 Prill 2022, përfundon mandatin si kryetar i Gjykatës Themelore në Gjilan, këtë detyrë e ka ushtruar për katër vite, me këtë rast ka falënderuar gjithë gazetarët dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare për bashkëpunimin gjatë këtyre viteve.