Tashmë i penduar thellë për të kaluarën, Hajrizi thotë se ka pasur një jetë me shumë ngatërresa.
“Në vitin 2008 kam krye vrasje. Në 2010 jam liruar në mungesë provash. Në 2011 e kam përsërit përsëri veprën me tjera plagosje. Në momentin që kam përsërit veprën e dija që nuk kish më jetë pasi mendova se më pret një dënim kapital. Fillova të mendoj ndrysh dhe të bëj probleme në burg. Fillova të merrem me kontrabanda dhe të futem në grupe të këqija. Erdhi një moment kur u lodha nga këto gjëra. Fillova të shoh shoqërinë time duke u liruar nga burgu, të tjerë që liroheshin për vikende, vendosa të fillojë shkollën dhe kurset”.
“Mbarova shkollën e kurset dhe një ditë kërkova takim me drejtorin e pavijonit të burgut. I thashë të më jepet një mundësi pasi desha të ndryshojë. Kishte paragjykime nëse do të kthehesha ose jo, por ma dhanë mundësinë dhe që katër herë dal për vikend e më pas kthehem”.
Ai thotë se është përballur në grilat qysh në moshën 18-vjeçare duke e vënë në sprova të vështira.
“Në burg kishte njerëz të moshës 25-vjeçare e më ët mëdhenj. Ata të përdornin. Në qelitë tjera ka pasur vetëvrasje, njerëz që prisnin veten. Dëgjoje njerëz që bërtisnin. Megjithatë ja kam dalur”
Arianit Kurpalaj nga Komuna e Istogut është dënuar me 5 vite burg për grabitje të rëndë.
Ai thotë se veprën e ka bërë në moshë 18-vjeçare.
“Nuk e kemi bërë mend se përfundojmë në burg apo spital. Grabitja nuk ka qenë e planifikuar. Ajo është kryer në ora 10 të mëngjesit. Nuk kemi qenë as të maskuar e asgjë. Thjesht shoku në probleme të mëdha dhe kemi kryer veprën. Por njeriu më së shumti mund t’ia sheh sherrin shoqërisë së gabuar”.
“Në burg ke më shumë kohë për të reflektuar dhe i kupton më mirë gabimet. Së pari të vjen keq për familjen. Burgu të pjek më shumë se duhesh. Këtu i kemi kushtet për një risocializim”, thotë i riu nga Istogu.
Të tjerë të burgosur thonë se burgu është i mirë për ata që dëshirojnë të risocializohen dhe të përgatiten për jetën e pas burgut.