Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë qenë cak i sulmeve të shumta në veri të vendit. Brenda hiq më pak se katër ditësh ata u sulmuan pesë herë. Ndërkohë, që deri më tani nuk ka asnjë të arrestuar.
Sulmi i fundit që ka ndodhur ndaj Policisë së Kosovës ka qenë gjatë ditës së djeshme. Ata janë sulmuar nga mjete piroteknike në Sharpej të Jarinjës.
Përmes raportit 24 orësh, policia ka njoftuar se derisa njësia e policisë kufitare ka qenë duke vëzhguar, janë dëgjuar dy shpërthime.
“Në këtë rast nuk ka pasur të lënduar si dhe as dëme materiale. Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitë përkatëse policore. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit dhe është iniciuar rasti. Rasti është duke u hetuar”, thuhet në raport.
Ndërkohë, që gjatë ditës së djeshme Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizitoi pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.
“Sulmi ka ndodhur derisa zyrtarët policor po kontrollonin në rrugët e kontrabandës, të cilat i kemi mbyllur. Gjendja shëndetësore e zyrtarëve policor është e mirë dhe nuk ka dëme materiale”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Gjatë të premtes, Xhelal Sveçla së bashku me drejtorin e Policisë Samedin Mehmeti, në një konferencë për media kishin njoftuar se brenda tre ditësh Policia e Kosovës në veri të vendit ishte sulmuar katër herë.
Sulmet ndaj policisë kishin ndodhur me granata dore, AK 47, me vendosjen e iriqëve metalik në rrugë e hedhje të gurëve.
Ndaj këtyre sulmeve ka pasur reagime të shumta si nga krerët shtetëror ashtu edhe nga opozita në vend.