Avokati Tomë Gashi ka thënë se e ka parë kufomën e Astrit Deharit.
“Edhe po të qoheshin profetët. Edhe po të qoheshin prindërit e mi që kanë vdekur që shumë vite, e po të thonin se Astrit Dehari ka kryer vetëvrasje, atëherë unë do ju thoja jo. Kjo sepse e kam parë vetë kufomën e Astrit Deharit. Kishte shenja të vetëmbrojtjes. Ato janë në ekspertizën e parë nga dy hetues të pavarur. Sa herë ka shenja të vetëmbrojtjes atëherë policia menjëherë e cilëson si vrasje e jo vetëvrasje”, ka thënë ai.
“Prova e cila është përdorur më së paku është trupi i tij. Instituti Zviceran e thotë se tani ka kaluar shumë kohë, e thotë butë këtë. Nuk mund të përdoret tani trupi i provë”, shton ai.
Gashi hedh akuza të tjera mbi prokurorinë duke thënë se në spitalin e Prizrenit thuhet qartë se Dehari ka ardhur pa shenja jete, ndërsa ata vazhdojnë të shkruajnë se ka vdekur në spital. Po ashtu, ai thotë se provat që u dërguan në Zvicër ishin të manipuluara dhe se në to nuk u gjet as ADN e shokut të tij të dhomës.
“Në spitalin e Prizrenit, thuhet qartë ja ku e keni dokumentin. Astrit Dehari ka arritur pa shenja jete. Prokuroria ende pas 5 viteve e shkruan se ai ka vdekur në spital. Mjekët e Prizrenit nuk janë frikësuar. Ndoshta janë kërcënuar por nuk janë frikësuar dhe manipuluar. E kanë shkruar si është. Pasi kjo është e vërteta, Astrit Dehari është vrarë në burg e është dërguar pa shenja jete në spital. Edhe provat i kanë dërguar të manipuluara në Zvicër. Dëshmitari i vetëm, që ishte shoku i tij i dhomës e që kishte arritur në qeli i pari tregon se kishte larguar gotën nga Astriti. Aty tash nuk janë gjetur fare ADN. As të shokut e as Astritit”, përfundoi ai në T7.