Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshje bashkëpunimi me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, e cila ka për qëllim përcaktimin e kornizave të bashkëpunimit institucional në fushat me interes të përbashkët.
Rektori i UP-së, Naser Sahiti tha se UP dhe MMPHI do të bashkëpunojnë në zbatimin e projekteve, realizimin e praktikës profesionale për studentët, si dhe në harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojat e tregut të punës dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore.
“Bashkëpunimi i UP-së me ministrinë mund të shtrihet edhe në kuadër të bordeve industriale që i kemi në fakultete, sidomos në drejtimet aplikative, ku mund të përfshihen edhe përfaqësues të ministrisë, për të shkëmbyer përvoja dhe të kontribuojmë në mënyrë reciproke,” ka thënë rektori Sahiti.
Ndërsa ministri Liburn Aliu theksoi se një marrëveshje e tillë është e domosdoshme për përmbushjen e objektivave të të dyja institucioneve dhe ngritjen e kapaciteteve profesionale.
Ai shtoi që ministria do të vlerësonte në veçanti bashkëpunimin në nivel të ekspertizave nga ana e UP-së, ku nevoja për një autoritet profesional është shumë e shprehur.
Nënshkrimi i marrëveshjes zyrtarizon zotimin e të dyja palëve drejt implementimit të aktiviteteve të përbashkëta.
Kujtojmë se dje ministri Aliu ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi edhe me kolegjin privat “UBT”, veprim ky që nxiti reagime të shumta në opinionin publik, pasi që vetë ministri merr pagë nga ky kolegj.