Institucionet vendore së bashku me partnerët e sektorit të pylltarisë, synojnë që të arrijnë shifrën e mbi një milion drunjëve të mbjellur brenda një viti. Këtë e ka bërë të ditur Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci me rastin e shënimit të Ditës së Tokës, me ç’rast ka vizituar procesin e mbjelljes së 33 mijë fidanëve në Komunën e Dragashit. Procesi i mbjelljes së këtyre fidanëve është mundësuar nga Projekti i FAO-s në Kosovë, një partner i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.
Gjatë kësaj vizite, Ministri Peci ka treguar së në kuadër të pyllëzimeve që realizon Agjencia e Pyjeve të Kosovës, deri më tani janë mbjellur 309.30 hektarë, përkatësisht 773,321 fidanë të drunjëve në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës.
“Ne nuk kemi tjetër planet andaj duhet të përkujdesemi që të mos shkaktojmë dëme aty ku mund të kontribuojmë në përmirësim të situatës. Me veprime të vogla por të herë pas hershme, mund t’i prekim çështjet klimatike dhe t’i adresojmë ato qoftë përmes politikave që mbrojnë bio-diversitetin, qoftë përmes aksioneve të rregullta të pyllëzimit”, ka thënë Ministri Peci.
Ndryshe, përmes Projektit të FAO-s janë në proces të pyllëzimit afro 50 hektarë me rreth 140 mijë fidanë në Komunën e Mitrovicës, Shtërpcës dhe Suharekës, krahas Komunës së Dragashit