Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se pala serbe e ka bllokuar deri tani progresin në dialogun Kosovë-Serbi.
E pyetur për dështimin për arritjen e një marrëveshjeje për targat të enjten në Bruksel, Osmani gjatë një konference për media me presidentin e Letonisë, Egils Levits, të premten, ka thënë se Kosova ka dhënë maksimumin si palë konstruktive që të arrihet një marrëveshje ashtu siç e ka kërkuar BE-ja.
“Republika e Kosovës ka dhënë maksimumin si një palë konstruktive në dialog që të arrihet një marrëveshje ashtu siç ka kërkuar edhe BE-ja por ne nuk mund të marrim përgjegjësi për bllokadën që po shkakton pala serbe. Ajo çka mund t’ju siguroj është që Kosova do të jetë palë konstruktive dhe do të vazhdojë të jetë palë që respekton parimet dhe standardet më të larta evropiane, ndërkaq se si do të sillet Serbia varet nga ata, por fatkeqësisht sjellja e tyre e deritanishme vetëm e ka bllokuar progresin në dialog. Mendoj që sa i përket udhëheqësve të delegacioneve, sikurse në çdo takim deri tani, kryeministri i vendit do të vazhdojë të potencojë që ky proces është i përqendruar në njohje reciproke. Njohja reciproke është parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajonin tonë”, ka thënë Osmani.
Zv.kryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar të enjten mbrëma se takimet gjithëditore në Bruksel nuk kanë rezultuar me ndonjë marrëveshje me Serbinë.