Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar pasi deputeti i PDK-së, Hisen Berisha ka thënë se mjetet që po grumbullohen për Fondin e Sigurisë nuk duhet që të lejohet të përdoren për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Haradinaj përmes një shkrimi në Facebook tha se nuk po i kupton disa eksponentë të PDK-së që janë kundër Fondit të Ushtrisë. Ai i pyeti se nëse po iu pengon forcimi i ushtrisë, apo e kanë problemin me kryeministrin Albin Kurti.
Lideri i AAK-së shtoi se nëse kanë problem me Kurtin, atëhetë ka hapësirë të mjaftueshme për ta sulmuar, pasi sipas tij, Kurtit i ka humbur tashmë rruga në oborr.
“Çka janë çu peshë disa eksponentë të PDK kundër Fondit të Ushtrisë. S’po e kuptoj ku e kanë hallin. A po iu pengon forcimi i ushtrisë, a po iu dhimbsen qytetarët që janë të gatshëm ta ndihmojnë ushtrinë e tyre, apo e kan problemin me Albin Kurtin?!
Nëse është kjo e fundit, ka hapësirë boll për ta sulmuar Albin Kurtin, të cilit edhe ashtu i “ka hup rruga n’oborr”! Pa ushtri s’ka shtet dhe ta ndihmosh ushtrinë e vendit tënd është detyrë patriotike dhe shqiptarët e dijnë më mirë se kushdo tjetër këtë gjë”, shkroi Haradinaj.