Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë në Gjilan subvencionon me farë misri për mbjelljet pranverore 465 fermerë.
Përfitues të këtij projekti të planifikuar për fermerët nga drejtoria janë kultivuesit e rregullt të misrit që mbjellin nga 0.20 ha deri 1.0 ha, fermerët me kushte të rënda ekonomike dhe që jetojnë në zonat rurale.
Është kontraktuar blerja e 1000 paketimeve me farë misri, ku do të mbillen afër 500 hektarë, të cilat kanë pasur vlerën financiare 23,600 euro.
Në shpërndarjen e farës së misrit kanë marrë pjesë kryetari i Komunës, Alban Hyseni dhe nënkryetarja, Leonora Morina Bunjaku, të cilët paralajmëruan dhe investime të tjera, sepse bujqësia është një prej prioriteteve të Komunës së Gjilanit, meqë ndikon në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik.
Drejtoria e Bujqësisë dhe Pylltarisë do të vazhdojë ofrimin e subvencioneve për fermerët dhe uron një vit të mirë dhe të begatshëm për ta.