Sa herë që i është dashur fitorja, Gjilani ka ditur të dështojë. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen e sotme kundër Dukagjinit në Klinë e një ekipi që mëton titullin kampion nuk do të duhej t’i ndodhnin gjëra të tilla.
Dështimi i djeshëm i Ballkanit ndaj Ulpianës do të duhej të ishte motiv shtesë për lojtarët e Gjilanit, por një gjë e tillë nuk ndodhi.
Që në minutën e tretë, Dabiqaj i Gjilanit qëlloi shtyllën, kurse vendasit u kundërpërgjigjën me një gjuajtje të Ahmetit, por gjuajtjen e tij e ndali Koliçi. Në minutën 12, Gjilani kërkoi një penalti, por i një mendimi të tillë nuk ishte gjyqtari.
Dy minuta ishin të kobshme për Gjilanin, ajo e minutës 33 dhe 35, kurse në të dy rastet protagonisti ishte i njëjtë, Altin Merlaku, i cili brenda dy minutave arriti të shënojë dy herë. Sidomos goli i dytë ishte shumë i bukur.
Kryetrajneri Ismet Munishi, shumë herët u desh t’i bëjë të gjitha pesë zëvendësimet, për të ndryshuar krejt ritmin e lojës.
Në pjesëlojën e dytë një rast të mirë për Gjilanin e pati Progni, por ai gjuajti drejt në portierin. Në minutën 85, Gjilani i pati dy raste të mira shënimi, fillimisht gjuajtjen e Krasniqit me kokë e priti portieri Muhaxhiri, kurse më pas sulmuesit e Gjilanit nga 3-4 metra qëlluan shtyllën./Kryelajmi.com/