Në fund të muajit mars në Policisë e Kosovës është raportuar një vjedhje e rëndë që ka ndodhur në hapësirën e jashtme të Spitalit rajonal të Gjilanit, ku hajnat kishin vjedhur gypa të metalit në vlerë prej 5 mijë euro, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se pas hetimeve që kanë zgjatur një muaj, Policia ka arritur të zbulojë grupin prej pesë personave A.D., A.M., R.A., T.K., dhe F.L., që dyshohet se vodhën gypat që ishin të instaluar për përçimin e gazit oksigjenik për pacientët e spitalit.
Njëri nga pesë të dyshuarit që kanë kryer këtë vjedhje në bashkëveprim është shtetas i Shqipërisë, i cili bashkë me dy të dyshuar të tjerë, me urdhër të prokurorit për Krime të Rënda është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Ndërsa dy të dyshuarit e tjerë do të hetohen në procedurë të rregullt lidhur me këtë rast.
Sinjali mëson se për të dyshuarin me shtetësi shqiptare, është njoftuar edhe Ambasada e Republikës së Shqipërisë.