Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për të Pagjeturit, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, bashkë me Bordin e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti, Valentina Bunjaku, Rexhepi dhe Albana Bytyqi, vizituan sot disa shoqata dhe ente të ndryshme në Krushë të Madhe dhe në Gjakovë.
Në Krushë të Madhe deputetet u pritën nga znj. Fahrije Hoti me ekipin e saj, ndërsa në Strehimore e Gjakovës u pritën nga drejtoresha, znj. Erblina Dinarama.
Më pas, vizita e deputeteve vazhdoi në OJQ Medica Gjakova, ku u pritën nga drejtoresha, znj. Mirlinda Sada me bashkëpunëtorë.
Më tej, deputetet bënë homazhe në varrezat e Mejes, ku u pritën nga z. Haki Sadrija, përfaqësues i Shoqatës 27 prilli.
Aktiviteti i deputeteve vazhdoi me takim në shtëpinë e Nënës Ferdonije Qerkezi, ku ishte e pranishme edhe znj. Nysrete Kumnova, përfaqësuese e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”.
Në fund, deputetet organizuan një darkë në Gjakovë, ku të pranishme ishin: znj. Ferdonije Qerkezi, Nysrete Kumnova dhe Luljeta Sharani.
Në të gjitha takimet e zhvilluara, deputetet u njoftuan për së afërmi për aktivitetet dhe sfidat me të cilat po përballen koperativa bujqësore “Krusha” dhe shoqatat e lartpërmendura.
Deputetet e Kuvendit në fjalën e tyre para përfaqësuesve të enteve dhe shoqatave, u zotuan se do të jenë zë i fuqishëm mbështetës, si në aspektin e harmonizimit dhe rregullimit të projektligjeve që mbulojnë kategorinë e personave të pagjetur, viktimave të dhunës seksuale të luftës, si dhe ofruan mbështetje institucionale për të gjitha shoqatat që në fokus tu tyre kanë kategoritë e lartpërmendura.