Shkruan: Fitim Guda
Paralajmërimet e fundit lidhur me rritjen e pagave në sektorin publik paraqesin një veprim të pamatur dhe pa mbështetje reale ekonomike. Rritja e investimeve në sektorin privat, veçanërisht në prodhim dhe shërbime, krijon qëndrueshmëri të vërtetë ekonomike dhe sociale, e jo rritja e pagave në sektorin publik me këtë rritje të ulët ekonomike prej 3.9 përqindësh të raportuar nga Banka Botërore.
Me fjalë të tjera, ato mjete që janë projektuar për rritjen automatike të pagave të punonjësve në sektorin publik nga Qeveria e Kosovës, të shkojnë në mbështetje të prodhuesve vendorë, ngase kjo e dyta, do të rriste zhvillimin real ekonomik, e rrjedhimisht do të gjeneronte edhe rritje të vërtetë të pagave dhe vende të reja të punës. Këtë do ta argumentojmë me numërimin e disa fakteve vijuese:
Modeli për të argumentuar këtë tezë janë vendet e zhvilluara perëndimore. Derisa në botën e zhvilluar ‘perëndimore’, bartësi kryesor i procesit të zhvillimit ekonomik është sektori privat, në Kosovë nuk po bëhet asnjë hap i duhur që të ndihmohet sektori privat përmes kredive të buta, subvencioneve dhe ndihmave të tjera, që sektori privat të zë vendin meritor në zhvillimin e gjithëmbarshëm ekonomik të vendit.
Deficiti tregtar është indeks i ngecjes së zhvillimit ekonomik në një vend. Prandaj, investimi në prodhim do ta përmirësonte prodhimin vendor, eksportin jashtë vendit, dhe detyrimisht do të shënonte përmirësimin e bilancit negativ tregtar.
Po varfërohet sektori privat nga kuadrot dhe punonjësit e kualifikuar, ngase shumica e tyre po vrapojnë pas sektorit publik. Motivimi i tyre për sektorin publik është si rezultat i dëshirës për paga më të larta, sigurim të vendit të punës, mundësi për kredi, etj.
Rritja ekonomike prej 3.7 përqindësh është rritje e vogël, e bazuar në konsum të brendshëm, si rrjedhojë e investimeve të mëdha në infrastrukturën rrugore, respektivisht në autostrada, e që në realitet duhej të ishte rritje ekonomike si rezultat i investimeve në prodhim, rritje e investimeve të huaja direkte dhe indirekte, promovim të turizmit, e tjerë e tjerë. Sipas disa ekonomistëve, rritja reale e pagave prej 10 përqindësh, duhet të shoqërohet me rritje ekonomike prej 18 përqindësh, ndërsa në Kosovë, rritja ekonomike prej 3.7 përqindësh, do të rezulton me rritje të pagave në sektorin publik, prej 4 përqindësh. Matematikisht dhe ekonomikisht, i bie se, rritja ekonomike e një vendi nuk mund të jetë më e vogël se rritja në përqindje e pagave në sektorin publik.
Pas luftës në Kosovë, të ardhurat personale në sektorin publik kanë qenë më të ulëta ose të ngjashme me sektorin privat. Me kalimin e kohës, kemi rritje të vazhdueshme të pagave në sektorin publik, kurse në sektorin privat, kanë mbetur të njëjta, dhe këtu po krijohet pabarazi sociale në mes të vetë punonjësve të sektorit privat dhe atij publik.
Sipas disa shqyrtimeve tona në analizat ekonomike në disa vende të Ballkanit Perëndimor, rritja e pagave në sektorin publik prej 1 përqindësh, ndikon në rritjen e pagave me 0.3 përqind në sektorin privat, domethënë, nuk është pa efekte pozitive, por sërish në planin afatmesëm dhe afatgjatë, nuk është potez i qëlluar.
Madje nëse do ta shpjegonim edhe këtë rritje 0.3 përqindësh, si ekonomistë do të mund të theksonim tri arsye kryesore: a) rritja e pagave në sektorin publik apo propabiliteti i rritjes së tyre ndikon që të rritet presioni mbi rritjen e pagave në sektorin privat; b) në mungesë të fuqisë së mirëfilltë, sektori privat rrit produktivitetin; dhe c) rritja e pagave në sektorin publik, njëkohësisht rrit tatimin dhe krijon rritje në sektorin privat.
Po sipas të njëjtave burime të informacionit mbi analizat ekonomike në rajonin tonë ballkanik, pagat në sektorin publik tek të punësuarit me shkollim të mesëm janë për 34.9 përqind më të larta sesa tek të punësuarit me të njëjtin nivel të arsimimit, ndërsa dallimi në paga në mes të punësuarve në sektorin publik dhe privat me nivel universitar/pasuniversitar është 4.1 përqind.
Bazuar në dallimin e pagave të punonjësve në sektorin publik dhe privat, le të shërbehemi edhe me një rast interesant: Disa punonjës të sigurimit dhe për çështje të ndryshme teknike në sektorin publik, janë larguar nga buxheti shtetëror, duke u angazhuar në vende të njëjta të sektorit publik, por të marrë nën menaxhim nga kompani private.
Nga kjo po del se këtyre punëtorëve u janë zvogëluar të ardhurat mujore dhe u janë krijuar pasiguri për vendet e tyre punës. Edhe këto raste, vetëm e damkosin motivimin për punësim në sektorin privat, sepse të jeni në sektorin publik dhe të kaloni në atë privat, po i bie se keni rënë nga të ardhurat më të larta në të ardhura më të ulëta, dhe nga vendi i sigurtë i punës, ndoshta edhe me humbje të vendit të punës.
Mbështetur në të gjitha këto që u thanë, mos i rrisni pagat në sektorin publik, por këto mjete buxhetore dhe mjete të tjera, dedikoni për sektorin privat, në prodhim dhe në shërbime, gjegjësisht t’ia mundësojmë prodhuesve kosovarë të kalojnë nga prodhues të ekonomisë familjare në prodhues industrialë, sepse vetëm në këtë mënyrë, do të krijohen vende të reja të punës dhe do të kemi një të ardhme më të qëndrueshme ekonomike!
(Autori është ekonomist i diplomuar dhe afarist)