Partia Socialdemokrate ka zhvilluar sot një aksion simbolik, ku para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ka vendosur tri lavatriçe të cilat ishin të mbushura me ‘para’, raporton Gazeta Sinjali.
Nënkryetari i PSD-së, Zgjim Hyseni ka thënë se ky aktivitet e ka për qëllim paraqitjen figurative lidhur me raportimet se ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është përfshirë në një skandal financiar në Slloveni.
“Ky aktivitet e ka për qëllim që me paraqitë në mënyrë figurative cxka po ndodhë javën e fundit, dmth aktivitetin e shpëlarjes së parave që po ndodhë në Republikën e Kosovës. Po bëhen një javë prej se ka plasur skandali me ambasadorin e Kosovës në Kroaci. Krejt pyesin, flasin vetëm institucionet dhe eprorët e institucioneve po heshtin. Ambasadori Martin Beërishaj e ka hap një xhirollogari në Mal të Zi me vetëm veten e tij punëtor dhe hopa 600 mijë euro tërheqje. Paret në dorë e pastaj në strajcë. Prejardhja e pareve është Beogradi”, ka thënë Hyseni.
Ai tha se si Berishaj ka marrë para nga Beogradi.
“Ne e dimë që kushdo që bënë tregti me Beogradin, pavarësisht se cila është kompania, është e pamundur që mos me ra në rrjetën monopol të ashtuquajturës mafi energjetike e Ballkanit. Këto kompani janë të lidhura me emra famëkeq”, ka thënë më tutje ai.
Ndërkohë, zëdhënësja e partisë, Natyra Kuçi, ka publikuar në rrjetin social Facebook fotografi nga ky aksion.
“Parate e shpërlara nga Martini, i sollëm te miku i tij Albini”, shkroi ajo në përshkrim të fotografisë.