Lidhja Demokratike e Kosovës në një konferencë për media ka thënë se me shqetësim është duke e përcjellë rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Shkëmb Manaj nga kjo parti ka thënë se Berishajt iu deshën shtatë muaj për të bërë pazar me blerjen e energjisë elektrike.
Sipas tij, ky skandal është arsyeja e vetme e rezistencës së pushtetit për mosformimin e Komisionit Parlamentar.
“Ky skandal shpërfaq më së miri rolin e pushtetit me refuzimin e projektit amerikan të gazit. Përgjigjet do t’i marrim me hetimin parlamentar të cilin pushteti po mundohet ta ndalë. Për herë të parë pushteti po mundohet të ndalë një nismë ligjore. Ky është pushtet absolut. Deri sot nuk është ndërmarrë asnjë masë, as ajo e pezullimit nga puna e ambasadorit. Nuk ka as dorëheqje morale sepse e ka mburojë pushtetin”, ka thënë ai.
Zëdhënësja e LDK-së, Sibel Halimi, ka thënë se komisioni do të themelohet pavarësisht pengesave që i bën pushteti.
Ajo ka thënë se LDK-ja e kërkon dorëheqjen e Berishajt nga pozita e ambasadorit.
“Ne kemi krijuar 40 nënshkrime dhe partia në pushtet mund të bëjë çfarë të dojë në komisionin e tyre, por ne nuk heqim dorë nga ajo që e kemi nisur”, ka thënë ajo.
Emri i Berishajt është përfshirë në një skandal financiar të raportuar nga një medium në Slloveni. Emri i tij është krahas kryetarit të partisë Lëvizja për Liri në Slloveni, Robert Golob, i cili të dielën i ka fituar zgjedhjet.
Sipas Planet TV, politikani slloven është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting.
Vetë Berishaj i ka mohuar këto akuza dhe ka paralajmëruar padi ndaj mediumit slloven.
Mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro, të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.
Raportimi për përfshirje të Berishajt në shpëlarje të parave ka nxitur reagime të shumta në Kosovë. Partitë opozitare, të cilat ditëve të fundit kanë bërë përpjekje për themelim të një komisioni hetimor për krizën energjetike në vend, por që kanë dëshrtuar deri më tash, e kanë lidhur këtë me rastin e Berishajt.
Për rastin e ambasadorit Berishaj, presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar javën e kaluar se i besojnë atij dhe se këto çështje janë për organet e drejtësisë.
“Ne i besojmë ambasadorit të Republikës së Kosovës, sepse është ambasador i Republikës sonë kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai do t’i drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë. Dhe pastaj të gjithë bashkërisht e presim vendimin e organeve të drejtësisë para se të bëjmë konstatime siç i dëgjuam”, ka thënë presidentja Osmani të premten.