Nëse deri të enjten (nesër) nuk do të ketë ndonjë veprim nga ana e Qeverisë Kurti do të fillojë greva.
Kështu po paralajmëron kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
SBAShK kishte paralajmëruar grevë në të gjitha institucionet arsimore pas datës 20 prill.
Por një gjë e tillë nuk është duke ndodhur për shkak se Kurti sipas Jasharajt i ka ftuar në takim të shtunën e kaluar kreun e BSPK-së e nënkryetarin e SBAShK-ut.
Kërkesa kryesore e SBASHK-ut është që deri në implementimin e ligjit të pagave, mësimdhënëseve të ju jepen nga 100 euro shtesë në muaj. Në të kundërtën Jasharaj tregoi se do të fillojnë me siç i quan ai veprime të përshkallëzuara.
“E ajo çka mund të them tash, kjo vlen vetëm për SBASHK-un sepse unë nuk mund të ndikojë tek sindikatat tjera nëse të enjten nuk do të kemi ndonjë raport konkret se si është zhvilluar takimi, që ka gjëra konkrete të cilat janë në përpjekje për t’u realizuar atëherë pas të enjtes, gjegjësisht unë të enjten do ta thërras Këshillin drejtues të SBASHK-ut do të raportojmë se edhe pas gjithë këtyre pritjeve ka apo nuk ka rezultate që i mbetet ta vlerësojnë vet ata, nëse vazhdohet kështu dhe nuk do të ketë as takime, as rezultate konkrete, as propozime e premtime konkrete atëherë pas të enjtes, Këshilli Drejtues të enjten mblidhet ose të premten duke e pritur takimin e BSPK-së, dhe nëse nuk ka asgjë konkrete atëherë Këshilli Drejtues do ta bëjë një axhendën se si do të duken veprimet sindikale”, deklaroi ai për Insajderin.