Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, vendosi që seanca e radhës e Kuvendit të mbahet të enjten, më 5 maj 2022, në orën 10:00.
Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në rend dite të kësaj seanca do të jenë: propozimi i dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, shqyrtimi i parë i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.08/L-066 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2022, emërimi i Komisionit për Mbrojtjen e Konkurrencës, formimi i komisionit ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit të RTK-së, si dhe debati parlamentar për punën e Qeverisë së Republikës së Kosovës në vitin e parë të mandatit të saj.
Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.