Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka inspektuar punimet që po zhvillohen në shkollën e mesme teknike “Mehmet Isai”, në kuadër të projektit për efiçiencë të energjisë, i cili po bëhet në financim nga Komuna dhe nga Fondi Kosovar për Efiçiencë të Energjisë.
Kryetari Hyseni ka thënë se është shumë i kënaqur me punën që po bëhet aty.
“Është një projekt që ka të bëj me rritjen e efikasitetit të brendshëm të shkollës, ku përfshihet edhe ngrohja dhe funksionaliteti i saj. Ajo që ne po bëjmë tash është pjesë e asaj që ne e kemi filluar si kampanjë edhe të pastrimit, por edhe të ndryshimit të imazhit të Komunës dhe përceptimit të qytetarëve ndaj asaj që ne po punojmë. Pra, bashkë me pastërtinë, me këtë pjesën ekologjike e të efikasitetit, po mundohemi që Gjilanin ta sjellim në një epokë të re sa i përket kësaj fushe”, ka thënë kryetari Hyseni.
Ai theksoi se qëllimi është që investimet në efikasitet të përkthehen edhe në efektivitet, në mënyrë që do të rriteshin kursimet, por edhe do ta zvogëlohej ndotja.
Drejtoresha e shkollës së mesme të lartë “Mehmet Isai”, Lumnije Tahiri, e ka falënderuar kryetarin Hyseni për vizitën dhe mbështetjen e ofruar për këtë projekt.