Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur në një konferencë për medie pas takimit me kancelarin gjerman në Bundestag.
Kurti ka thënë se Gjermania është vend aleat për Kosovën.
Të dy vendet tona, sipas tij, ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë dhe barazisë.
Kurti ka bërë me dije se në këtë takim kanë zhvilluar tema të rëndësishme për dy vendet.
“Temë e parë ishte ajo e luftës në Europë e invazionit rus ndaj Ukrainës. Mbi bazën e kapaciteteve tona jemi solidarizuar me shtetin e Ukrainës. Kemi ofruar strehim dhe kushte për punë për 20 gazetarë të Ukrainës. Kemi ofruar mundësinë të strehojmë deri 5 mijë refugjatë”, ka thënë ndër të tjera Kurti.
Poashtu ai ka thënë se kancelarin e ka njoftuar për zhvillimin e ekonomisë.
Kancelarin e njoftova për zhvillimin e ekonomisë. Në Kosovë demokracia funksionon, opozita i fiton zgjedhjet, mediet janë të lira. Në këtë vit qeverisje kemi bërë përpjekje të mëdha për të fuqizuar sundimin e ligjit. Kemi fillua reforma në administratë dhe së fundi kemi hapur edhe Gjykatën Komerciale”, ka shtuar ndër të tjera Kurti.
Kreu i ekzekutivit ka thënë se të gjitha këto do ta ndihmojnë për një ambient më të mirë për të bërë biznes në Kosovë.
Kurti ka thënë se i ka kërkuar kancelarit të shtyjë përpara liberalizimin e vizave.
“Tash është koha të thuhet se mjaft është mjaft, Kosova i ka kryer detyrat e shtëpisë, BE ta bëj të njëjtin. Do të aplikojmë për anëtarësim në KE”, ka shtuar Kurti.