Më 29 prill, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.
Prokuroria po pretendon se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Për krimet që prokuroria pretendon që ndodhën në Gjilan, si krime lufte i ka listuar arrestimin dhe ndalimin e paligjshëm ose arbitrar, trajtimin mizor ose çnjerëzor, torturën dhe vrasjen. Ndërsa, si krime kundër njerëzimit ka listuar burgimin, vepra të tjera çnjerëzore, torturën, vrasjen dhe persekutimin.
“Betimi për Drejtësi” iu sjell më poshtë pretendimet e prokurorisë në akuzat e reja ndaj ish-eprorëve të UÇK-së, të cilat thotë se ndodhën në Gjilan.
Sipas aneksit numër shtatë që trajton pretendimet e Prokurorisë për krimet në Gjilan, në fund të korrikut 1999, tregohet se si një viktimë u dërgua me veturë nga vendi i tij i punës në Konviktin në Gjilan.
Prokuroria thotë se në konvikt, ai u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe karta e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit, si dhe nuk iu tha arsyeja e ndalimit apo arrestimit dhe nuk u akuzua për kryerjen e ndonjë krimi.
“Anëtarët e UÇK-së shkaktuan vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin njerëzor të [REDAKTUAR] duke e ndaluar në mënyrë arbitrare (shih Pikën 3). Anëtarët e UÇK-së gjithashtu i shkaktuan viktimës vuajtje ose lëndime të rënda mendore ose fizike, ose sulmuan seriozisht dinjitetin e tij njerëzor, duke e keqtrajtuar atë dhe/ose përmes kushteve të paraburgimit. Në Konvikt, siç u theksua edhe më sipër, [REDAKTUAR] u kontrollua dhe iu morën çelësat e makinës dhe karta e identifikimit dhe iu gris patenta e shoferit”, thotë prokuroria.
Tutje, thuhet se në pas, në një bodrum, të paktën tre burra rrahën me radhë viktimën, i cili ishte ulur dhe i lidhur. E goditën me shkopinj, kryesisht në shpinë, për të paktën 40 minuta deri në një orë, në prani të një burri tjetër dhe në afërsi të të tjerëve.
“Njëri prej burrave vuri një pistoletë dhe ia drejtoi viktimës. Rrahja u krye në një mënyrë të organizuar në dukje dhe njëri nga burrat dha udhëzime se si ta rrihte viktimën. Gjatë rrahjes, viktima është marrë në pyetje”, thuhet nga ana e prokurorisë.
Prokuroria thotë se [REDAKTUAR] pati mavijosje dhe kontuzione që u deshën rreth një muaj për t’u shëruar dhe kishte gjendje psikologjike që vazhduan pas lirimit të tij.
Ndërkaq, sipas prokurorisë, autorët morën pjesë dhe ishin në dijeni të ndalimit të viktimës dhe/ose rrethanave të arrestimit të tij.
Tutje, flitet për një rast tjetër, ku thuhet se në fund të korrikut 1999, autorët i shkaktuan dhimbje ose vuajtje të forta [REDAKTUAR], ndërsa ai ishte i ndaluar dhe keqtrajtuar në Konvikt.
“Gjatë ndalimit dhe keqtrajtimit të tij, [REDAKTUAR] u mor në pyetje në lidhje me serbët në ushtri, një incident gjatë të cilit një shqiptar ishte qëlluar, nëse viktima kishte armë ose ishte ushtarak, dhe për një vendndodhje që supozohej se përdorej nga një post komandues serb dhe forcat serbe. Autorët i thanë viktimës se duhej të jepte një deklaratë sepse ai vazhdonte të punonte [REDAKTUAR], i kërkuan viktimës të punonte për ta dhe i thanë viktimës të largohej nga Kosova”, thuhet në aneks të prokurorisë.
Më pas, flitet për një rast tjetër, ku thuhet se [REDAKTUAR] dhe [REDAKTUAR] u rrëmbyen në Gjilan vetëm dy ditë larg njëri-tjetrit, më [REDAKTUAR] 1999, respektivisht.
“[REDAKTUAR] u shoqërua në drejtim të Konviktit dhe nuk u pa më, derisa trupi i tij u gjet në qershor 2000. Vetëm dy ditë më vonë, në [REDAKTUAR] korrik 1999, [REDAKTUAR] u rrëmbye, u dërgua në Konvikt dhe nuk u pa kurrë, derisa trupi i tij u gjet në vitin 2002. [REDAKTUAR]”, thuhet tutje.
Më pas, në aneks trajtohet një rast tjetër, për një rrëmbim tjetër, të cilin e pretendon prokuroria në akuzën e saj.
“[REDAKTUAR] i cili u mor nga shtëpia e tij në [REDAKTUAR] korrik 1999, së bashku me fqinjin e tij, [REDAKTUAR] dhe një të afërm, [REDAKTUAR], nga tre ose katër burra me të zeza dhe nga fqinji i tij, [REDAKTUAR] . Ndërsa gratë u liruan sapo arritën pranë Konviktit, [REDAKTUAR] nuk u pa më derisa trupi i tij u gjet në qershor 2000.”, thuhet në aneksin e prokurorisë.
Gjykatësi i procedurës paraprake pasi ka konfirmuar akuzat e reja, ka caktuar 10 majin si datën kur të akuzuarit do të dalin para gjykatës.
Thaçi pritet të dalë nga ora 10:00 deri në 10:45, Veseli nga ora 11:15 deri në orën 12:00, Krasniqi nga ora 14:00 deri në 14:45 dhe Selimi nga ora 15:15 deri në orën 16:00.
Ndryshe, në vendimin e gjykatësit paraprak, me anë të së cilit ka caktuar datën e paraqitjes së tyre, thuhet se më 3 shtator 2021, ZPS ka paraqitur një aktakuzë të ndryshuar për t’u konfirmuar nga gjykatësi paraprak.
Tutje, thuhet se më 22 prill 2022, pasi urdhëruan palët të paraqisnin dhe u mor përgjigja e mbrojtjes dhe e ZPS-së, mbi materialin mbështetës të amendamenteve që konsiderohet se përbëjnë akuza të reja që mbështesin konstatimin e dyshimit të bazuar mirë në pajtim me rregullin 86 (4) të Rregullores, gjyqtari i procedurës paraprake konfirmoi aktakuzën e ndryshuar
Kurse, thuhet se më 29 prill 2022, ZPS- ja dorëzoi një aktakuzë të ndryshuar publikisht të redaktuar dhe dokumentet përkatëse
Më 9 nëntor të vitit të kaluar, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.
Sipas akuzës, së paku midis marsit 1998 deri në shtator 1999, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi dhe anëtarë të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët kishin qëllimin e përbashkët për të siguruar dhe ushtruar kontroll mbi të gjithë Kosovën përmes metodave që përfshinin frikësimin, keqtrajtimin, ushtrimin e dhunës dhe eliminimin e paligjshëm të atyre që konsideroheshin si kundërshtarë.
“Ndër këta kundërshtarë përfshiheshin persona që ishin, ose që konsideroheshin se kishin qenë: (a) bashkëpunëtorë ose të lidhur me forca, zyrtarë ose institucione shtetërore të RFJ-së, ose që (b) ndryshe nuk mbështetnin qëllimet ose metodat e UÇK-së dhe më vonë të QPK-së, ndër të cilët persona të lidhur me LDK-në dhe serbë, romë dhe persona të kombësive të tjera (bashkërisht, ‘kundërshtarët’). Ky qëllim i përbashkët përfshinte krimet e përndjekjes, burgosjes, arrestimit dhe ndalimit arbitrar ose të paligjshëm, akte të tjera çnjerëzore, trajtimin mizor, torturën, vrasjen dhe zhdukjen me forcë të personave”, thuhet në aktakuzë.